Lituania, Letonia e Estonia janë shkëputur nga rrjeti energjetik me Rusinë
BKT
Rajoni dhe Bota

Lituania, Letonia e Estonia janë shkëputur nga rrjeti energjetik me Rusinë

Bardhyl Bajrami /RTK

Tre vendet baltike, Lituania, Letonia dhe Estonia, mëngjesin e sotëm janë shkëputur nga rrjeti energjetik me Rusinë i cili ishte kontrolluar i tëri nga Moska. Këto vende do t’i bashkohen rrjetit të Bashkimit Evropian përmes rrjetit energjetik të Polonisë e para kësaj do të kryhen testet e nevojshme.

Pas më shumë se tre dekada të shkëputjes nga Bashkimi Sovjetik, tri shtetet të njohura si vendet baltike; Estonia, Lituania dhe Letonia kanë nisur shkëputjen nga sistemi energjetik me Rusinë dhe lidhjen me rrjetin energjetik të Bashkimit Evropian.

I tërë procesi që do të zgjatë dy ditë ka nisur mëngjesin e së shtunës ndërsa banorëve të këtyre vendeve u është thënë t’i karikojnë pajisjet, sigurojnë ushqim dhe ujë dhe të përgatiten sikur në rast parashikimit të motit të rëndë. Banorëve u është thënë gjithashtu që të mos i përdorin ashensorët e vende-vende, do të shkyçen edhe semaforët.

Këto tri vende më pas edhe zyrtarisht do të kalojnë nga sistemi energjetik i cili i kishte lidhur me Rusinë që nga paslufta e Dytë Botërore.

Rrjeti energjetik i quajtur BRELL, që është shkurtesë për vendet që e përbëjnë; Bjellorusia, Rusia, Estonia, Letonia dhe Lituania – pothuajse i tëri është kontrolluar nga Moska. Edhe pse asnjë nga tre vendet baltike nuk kanë marrë rrymë nga Rusia që nga viti 2022, lidhja me rrjetin BRELL i ka bërë ato të varura nga Moska për rrjedhën e energjisë elektrike.

Pas shkëputjes fizike nga rrjeti me Rusinë, tre vendet baltike do të kryejnë testet e duhura para se të integrohen përmes rrjetit energjetik të Polonisë në rrjetin e Bashkimit Evropian.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota