Trump njofton për telefonatën me Putin: Diskutuan për Ukrainën
BKT
Rajoni dhe Bota

Trump njofton për telefonatën me Putin: Diskutuan për Ukrainën

Dardan Ramabaja/ RTK

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar se ka pasur një telefonatë të gjatë me homologun e tij rus, Vladimir Putin, me të cilin kanë folur për luftën në Ukrainë dhe shumë çështje të tjera.

Më poshtë ju sjellim të plotë njoftimin e publikuar nga presidenti Trump në rrjetet sociale:

"Sapo pata një telefonatë të gjatë dhe shumë produktive me Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin. Diskutuam për Ukrainën, Lindjen e Mesme, energjinë, Inteligjencën Artificiale, fuqinë e dollarit dhe tema të tjera të ndryshme. Ne të dy reflektuam mbi historinë e madhe të kombeve tona dhe për faktin që luftuam me kaq sukses së bashku në Luftën e Dytë Botërore, duke kujtuar se Rusia humbi dhjetëra miliona njerëz, dhe ne gjithashtu humbëm shumë! Ne folëm secili për pikat e forta të kombeve tona përkatëse dhe përfitimin e madh që do të kemi një ditë duke punuar së bashku. Por së pari, siç ramë dakord të dy, ne duam të ndalojmë miliona vdekje që po ndodhin në luftën me Rusinë e Ukrainën. Presidenti Putin madje përdori moton time shumë të fortë të fushatës, "common sense". Ne të dy besojmë shumë në të. Ne ramë dakord të punonim së bashku, shumë ngushtë, duke përfshirë vizitën e vendeve të njëri-tjetrit. Ne kemi rënë gjithashtu dakord që ekipet tona përkatëse të fillojnë menjëherë negociatat dhe ne do të fillojmë duke telefonuar Presidentin Zelenskyy, të Ukrainës, për ta informuar atë për bisedën, diçka që unë do të bëj tani. I kam kërkuar Sekretarit të Shtetit Marco Rubio, Drejtorit të CIA-s John Ratcliffe, Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare Michael Waltz dhe ambasadorit dhe të dërguarit të posaçëm Steve Witkoff, që të udhëheqin negociatat, të cilat, mendoj fuqimisht, do të jenë të suksesshme. Miliona njerëz kanë vdekur në një luftë që nuk do të kishte ndodhur nëse unë do të isha president, por ndodhi, kështu që duhet të marrë fund. Nuk duhet humbur më jetë! Dua të falënderoj Presidentin Putin për kohën dhe përpjekjet e tij në lidhje me këtë thirrje dhe për lirimin, dje, të Marc Fogel, një njeriu të mrekullueshëm që unë personalisht e përshëndeta mbrëmë në Shtëpinë e Bardhë. Besoj se kjo përpjekje do të çojë në një përfundim të suksesshëm, shpresojmë së shpejti!".


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota