Situata në Ukrainë, liderët evropianë në Paris, SHBA-Rusi në Riad
BKT
Rajoni dhe Bota

Situata në Ukrainë, liderët evropianë në Paris, SHBA-Rusi në Riad

Hanife Osmani /RTK

Liderët evropianë zhvillojnë bisedime emergjente në Paris për Ukrainën, ndërsa SHBA dhe Rusia diskutojnë paqen në Arabinë Saudite. Ukraina përjashtohet nga negociatat ndërkombëtare.

Këtë javë, diplomacia globale është fokusuar te dy samite të rëndësishme të lidhura me luftën në Ukrainë, të zhvilluara paralelisht në dy kontinente. Në Paris, liderët evropianë po zhvillojnë bisedime emergjente mbi situatën në Ukrainë, ndërsa në Riad të Arabisë Saudite, zyrtarë të lartë amerikanë dhe rusë po diskutojnë mundësitë e negociatave për paqe.

Edhe kryeministri britanik Keir Starmer, së bashku me liderët e Francës, Gjermanisë, Italisë, Polonisë dhe vende të tjera evropiane, janë mbledhur në Paris për të diskutuar qasjet ndaj luftës në Ukrainë. Starmer deklaroi se Britania e Madhe është e gatshme të vendosë trupa paqeruajtëse në Ukrainë nëse dhe kur lufta të përfundojë, duke theksuar angazhimin për të kontribuar në garantimin e sigurisë së Ukrainës. Gjermania dhe Suedia kanë shprehur gjithashtu gatishmërinë për të dërguar forcat e tyre paqeruajtëse.

Megjithatë, Rusia ka refuzuar përfshirjen e Evropës në bisedimet e paqes. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, është shprehur se Evropa nuk ka rol në negociatat e mundshme, duke aluduar se liderët evropianë mund të jenë të prirur për të vazhduar konfliktin në mënyrë të tërthortë.

Paralelisht me bisedimet në Paris, Arabia Saudite po pret takime të nivelit të lartë midis SHBA-së dhe Rusisë. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, dhe këshilltari për Sigurinë Kombëtare, Mike Waltz, po takohen me Sergei Lavrov dhe ndihmësin e presidentit rus, Yuriy Ushakov. Diskutimet po fokusohen në mundësitë për paqe, por Ukraina nuk është ftuar në këto bisedime, duke ngritur pikëpyetje për përfshirjen e drejtpërdrejtë të Kievit në procesin e paqes. Ndërkohë, një delegacion amerikan ka shkuar në Poloni për të diskutuar me presidentin polak, Andrzej Duda, duke forcuar aleancën me një nga mbështetësit më të fuqishëm të Ukrainës në Evropë.

Në anën tjetër, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka vizituar Abu Dabin, ku ka falënderuar Emiratet e Bashkuara Arabe për ndërmjetësimin në shkëmbimet e të burgosurve me Rusinë, një nismë që deri tani ka çuar në lirimin e 2,883 të burgosurve. Në këtë kontekst të tensionuar diplomatik, Hungaria ka shfaqur një qëndrim të ndryshëm nga pjesa tjetër e BE-së. Ministri i

Jashtëm hungarez Péter Szijjártó i ka kritikuar liderët evropianë që po takohen në Paris, duke i quajtur ‘pro-luftës dhe anti-Trump’, si dhe ka mirëpritur rifillimin e dialogut të nivelit të lartë midis Rusisë dhe SHBA-së.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota