Friedrich Merz në rrugë për tu bërë kancelar i ardhshëm i Gjermanisë
BKT
Rajoni dhe Bota

Friedrich Merz në rrugë për tu bërë kancelar i ardhshëm i Gjermanisë

Luan Qorraj|RTK

Rezultatet e zgjedhjeve të përgjithshme në Gjermani e vendosin Friedrich Merz në rrugë për t`u bërë kancelari i ardhshëm i vendit. Por, Merz, i cili kurrë nuk ka mbajtur post të lartë zyrtar do të trashëgojë një situatë të vështirë ekonomike në vend dhe tensione në skenën ndërkombëtare.

Siç edhe u parashikua në shumicën e sondazheve parazgjedhore, partia konservatore, Unioni Demokristian, ka marrë numrin më të madh të votave duke e vendosur kështu Friedrich Merz në rrugë për tu bërë kancelari i ardhshëm i vendit. 

Këto rezultate po shihen si fitore, jo vetëm për përkrahësit e CDU-së, por edhe të dy partive tjera, Social Demokratëve, SPD, dhe partisë së Gjelbër , të cilët i druheshin mundësisë së ngritjes së mëtejme të AFD-së, Alternative Fur Germany, e udhëhequr nga Alice Weidel, e cila kaloi nga margjinat politike në njërën prej partive më të fuqishme në vend për një kohë të shkurtër.

Madje, gjatë fushatës, te tri  partitë kanë deklaruar se pa marrë parasysh rezultatet ato nuk do të konsiderojnë hyrjen në ndonjë koalicion me AfD, politikat djathtiste të së cilës kanë hasur në kundërshtime të mëdha, por edhe në përkrahje te një pjesë e shoqërisë Gjermane.

Rezultatet po përcillen me interesim të madh edhe jashtë Gjermanisë, pasi që, mes tjerash, qëndrimi i ardhshëm i vendit sa i përket luftës në Ukrainë dhe qëndrimit ndaj Rusisë. Merz, që nga fillimi i invazionit Rus, ka qenë përkrahës i qasjes agresive ndaj Rusisë dhe rritjes së ndihmave ushtarake dhe ekonomike për Ukrainën.

Qëndrimi i Berlinit rreth kësaj çështje, në kohën kur Evropa po përgatitë paketën më të madhe të ndihmave ushtarake deri me tani dhe po diskuton rritjen e kapaciteteve të prodhimit ushtarak evropian  shishet si kyç në çfarëdo politike të përbashkët që do ta ketë BE-ja dhe, fitorja e CDU-së, duket që sinjalizon qëndrim më agresiv të Evropës në të ardhmen. 

Njëkohësisht, rritja e investimeve në prodhim ushtarak vendor shihet nga do ekonomist si element i cili do të mund të ndihmojë ekonominë e Gjermane e cila po vuan në disa sektorë.

Megjithatë, shumë analistë dhe ekspertë thonë se vet fakti që AfD, me politikat e saj djathtiste dhe anti-evropiane , ka arritur të bëhet partia e dytë në gjermani, përderisa udhëheqësja e saj Alice Wediel, njëri prej personave më me ndikim në vend duhet të shihet si paralajmërim për qeverinë e ardhshme të vendit e cila, përveç atyre ekonomike, do të trashëgojë edhe probleme të mëdha, sa i përket migracionit ilegal dhe mënyrave në të cilat Berlini do të ballafaqohet me të . Telashet ekonomike, në kombinimin e sulmet me thika të kryera nga disa migrantë kohëve të fundit, kanë rritur drojën e qytetarëve dhe kanë nxitur një pjesë të shoqërisë të fillon të përkrahë masa më të rrepta ndaj ilegalëve, të cilat i propozonin djathtistët.

Disa analistë gjithashtu paralajmëruan se koalicioni tre-partiak,  cili po shihet si më u mundshme, CDU-SPD të gjelbrit , mund të përfundon jostabil, për shkak të ndryshimeve në qëndrime rreth ekonomisë dhe disa çështjeve tjera, dhe se Merz do të detyrohet të mbanë një balancë të ndjeshëm politik.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota