Pritet të nënshkruhet marrëveshja për minerale mes SHBA-së dhe Ukrainës
BKT
Rajoni dhe Bota

Pritet të nënshkruhet marrëveshja për minerale mes SHBA-së dhe Ukrainës

Bardhyl Bajrami/RTK

Presidenti amerikan Donald Trump, ka bërë të ditur se marrëveshja me Ukrainën për mineralet do të nënshkruhet të premten kur presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do ta vizitojë Shtëpinë e Bardhë. Detajet për marrëveshjen nuk janë bërë të ditura, megjithatë thuhet se kërkesa e presidentit amerikan për 500 miliardë dollarë nuk do të jetësohet.

Presidenti amerikan Donald Trump ka thënë se të premten do ta presë në Shtëpinë e Bardhë presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky për të nënshkruar marrëveshjen për mineralet pas arritjes së marrëveshjes mes dy palëve.

Olha Stefanishyna, zv/kryeministrja e Ukrainës i ka udhëhequr negociatat mes vendit të saj dhe SHBA-së për marrëveshjen për mineralet. Për gazetën 'Financial Times' Stefanishyna ka thënë se kjo marrëveshje është vetëm një pjesë e mozaikut.

Presidenti amerikan pretendon se kjo marrëveshje do t'I mundëson SHBA-së të marrë më shumë se që ka shpenzuar për Ukrainën, megjithatë detaje tjera duhet të diskutohen.

Duket se vlera prej 500 miliardë dollarë e proklamuar nga presidenti amerikan nuk do të jetësohet. Megjithatë kjo marrëveshje nuk duket se do t'i përmbush kërkesat e kahmotshme të presidentit Zelensky, ato të garancive për sigurinë të cilat do ta ndalonin Rusinë që ta sulmon përsëri Ukrainën në të ardhmen.

Sipas vlerësimeve, Ukraina ka 5% të rezervave botërore të mineraleve të rralla në botë përfshirë 19 milionë ton të rezervave të grafitit, i cili përdoret për prodhimin e baterive të veturave elektrike. Ka një të tretën e depozitave të gjithmbarshme të litiumit në Evropë, që aktualisht është komponenta kyqe e baterive aktuale.

Ka edhe depozita të konsiderueshme të metaleve të rralla që përdoren për prodhimin e armëve, turbinave me erë, pjesëve elektronike dhe të tjera.

Para fillimit të pushtimit të Ukrainës nga Rusia, Ukraina prodhonte 7% të sasisë së titaniumit në botë, që përdoret për prodhimin e gjithçkaje, nga termocentralet deri tek aeroplanët.

Sipas ministres ukrainase të Ekonomisë, burime në vlerë prej 350 miliardë dollarë janë okupuar nga Rusia që nga fillimi i luftës për pushtimin e vendit.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota