Zelensky në Britani të Madhe pas kthimit nga Shtëpia e Bardhë
Sh.Ç/RTKlive
(E plotësuar) Delegacioni i Ukrainës ka arritur në Britani tw Madhe, një ditë para samitit të liderëve evropianë që do të mbahet në Londër. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, do ta takojë edhe kryeministrin britanik Keir Starmerin.
BBC raporton se samiti i së dielës në Londër do të mbledh liderët evropianë me qëllimin që të arrihet një marrëveshje paqeje në Ukrainë. Starmer ka thënë se një marrëveshje e tillë duhet t’i përfshijë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Trump për Zelenskyn: Duhet të thoshte vetëm se dëshironte paqe
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka pasur një takim të tensionuar me homologun ukrainas, Volodymyr Zelensky në Shtëpinë e Bardhë teksa bisedonin për luftën ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës.
Pas përplasjes, Trump foli me gazetarët teksa u nis për fundjavë në shtëpinë e tij në Florida, shkruan skynews.
“Ajo që ai duhet të thotë është: ‘Unë dua të bëj paqe.’ Nuk ka pse të qëndrojë aty dhe të thotë ‘Putin kështu, Putin ashtu,’ vetëm gjëra negative. Ai duhet të thotë: ‘Unë dua të bëj paqe. Nuk dua të merrem më me një luftë’", ka theksuar Trump.























