Ndalimi vjen pasi SHBA pezulluan ndihmën ushtarake për Ukrainën, mes një rënjeje dramatike të marrëdhënieve ndërmjet Presidentit amerikan Donald Trump dhe Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy.
Drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, konfirmoi në një intervistë për Fox Business se ka një "pauzë" në mbështetje. Ai tha se "pauza do të kalojë", duke shtuar se SHBA do të vazhdojnë të punojnë me Ukrainën për të kundërshtuar agresionin dhe për të avancuar negociatat paqeje,raporton Al Jazeera.
Që nga fillimi i luftës në vitin 2022, SHBA kanë ofruar Ukrainës inteligjencë të rëndësishme, përfshirë informacionin kritik që ushtria e saj ka nevojë për qëllime synimi.
Marrëdhëniet SHBA-Ukrainë u prishën në mënyrë dramatike javën e kaluar kur Zelenskyy dhe Trump u përplasën në Shtëpinë e Bardhë të premten, por kanë pasur disa shenja përmirësimi këtë javë.
Trump të martën tha se kishte marrë një letër nga Presidenti Volodymyr Zelenskyy, në të cilën lideri ukrainas shprehte gatishmërinë për të hyrë në negociata mbi luftën e Rusisë kundër Ukrainës.
Zelenskyy tha në letër se ishte “gati të ulej në tryezën e negociatave sa më shpejt të jetë e mundur për të afruar paqen e qëndrueshme”.
“Ne e vlerësojmë shumë se sa ka bërë Amerika për të ndihmuar Ukrainën të ruajë sovranitetin dhe pavarësinë e saj,” shkroi ai