Macron: Vendet Evropiane duhet të përgatiten ta mbrojnë veten nga Rusia
BKT
Rajoni dhe Bota

Macron: Vendet Evropiane duhet të përgatiten ta mbrojnë veten nga Rusia

Luan Qorraj / RTK

Presidenti francez Emmanuel Macron, i është drejtuar popullit përmes një fjalimi televiziv, në të cilin foli për ndryshimet në skenën ndërkombëtare, luftën në Ukrainë dhe sigurinë evropiane.

Macron, mes tjerash, tha se, me ndryshimin e qëndrimit të SHBA-së sa i përket luftës në Ukrainë, "kemi hyrë në një erë tjetër."

Macron edhe njëherë theksoi se paqja në Ukrainë duhet të arrihet sa më shpejt dhe bëri të ditur se Franca, së bashku me Ukrainën dhe vendet tjera evropiane, kanë përgatitur një plan të paqes, të cilin ia kanë paraqitur Shtëpisë së Bardhë dhe se, në rast që ai plan pranohet, paqeruajtësit evropianë do të zhvendosen për të garantuar qëndrueshmërinë e armëpushimit.

Macron deklaroi se shpreson që SHBA do të mbesin në anën e evropianëve, por edhe shtoi se "duhet të jemi të gatshëm nëse kjo nuk ndodh."

Macron theksoi se Rusia nuk i ka respektuar marrëveshjet e mëhershme dhe se më nuk mund t’i besohet fjalëve që vijnë nga Kremlini.

Ai gjithashtu tha se askush nuk mund të besojë se Rusia do të ndalojë në Ukrainë nëse nuk ndalohet.

Presidenti francez njoftoi edhe se ka thirrur një takim të krerëve të ushtrive evropiane për javën tjetër, ku do të merren vendime për sigurinë e përbashkët dhe Ukrainën.

 


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota