Liderët evropianë do të bisedojnë për vazhdimin e mbështetjes së Ukrainës
Flutura Bekqeli / RTK
Udhëheqësit e BE-së do të mblidhen në Bruksel për një takim të posaçëm për mbrojtjen, pasi presidenti i Francës, Emmanuel Macron paralajmëroi se kontinenti ishte në një pikë kthese të historisë.
Përveç riarmatimit, liderët e BE-së pritet të diskutojnë se si organi mund të mbështesë më tej Kievin përballë njoftimit të presidentit amerikan Donald Trump, të hënën, se ai do të pezullonte ndihmën për Ukrainën. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky është i ftuar në samit.
Tensionet janë rritur në gjithë Evropën që nga përballja e Trump dhe Zelensky në Shtëpinë e Bardhë javën e kaluar. Tre vjet pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia, hapat e administratës Trump ndaj presidentit rus Vladimir Putin kanë lënë shumë në Evropë të shqetësohen se kontinenti nuk do të jetë në gjendje të llogaris në mbështetjen e SHBA për sigurinë e tij.
Vendimi i Uashingtonit të mërkurën për të ndërprerë shkëmbimin e inteligjencës me Ukrainën nuk bëri asgjë për të zbutur këto shqetësime. Presidenti Macron tha se Franca ishte e hapur për të diskutuar zgjerimin e mbrojtjes së ofruar nga arsenali i saj bërthamor për partnerët e saj evropianë, gjatë një fjalimi drejtuar kombit të mërkurën. Kjo pasoi një thirrje nga Friedrich Merz, i cili ka të ngjarë të jetë kancelari i ardhshëm i Gjermanisë, për të diskutuar rritjen e ndarjes bërthamore.
Evropa po përballet me një "rrezik të qartë dhe të pranishëm në një shkallë që askush prej nesh nuk e ka parë në jetën tonë", tha shefja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, ndërsa Presidenti i Këshillit Evropian António Costa tha se ky ishte një "moment përcaktues për Ukrainën dhe sigurinë evropiane".
Të hënën, Von der Leyen njoftoi një paketë të paprecedentë të mbrojtjes - të quajtur ReArm Europe - dhe tha se Evropa ishte e gatshme të rriste "masivisht" shpenzimet e saj të mbrojtjes "me shpejtësinë dhe ambicien që nevojitet".
Von der Leyen tha se tre propozimet në planin e ReArm Europe do të mbështesin Ukrainën dhe do të "adresojnë nevojën afatgjatë për të marrë shumë më shumë përgjegjësi" për sigurinë.
Shumë liderë evropianë kanë sinjalizuar mbështetjen e tyre për veprim të shpejtë dhe vendimtar në lidhje me sigurinë e kontinentit.























