Vendet evropiane ritheksuan përkrahjen e tyre për Ukrainën
Luan Qorraj / RTK
Udhëheqësit e vendeve evropiane janë takuar në Bruksel për të diskutuar për luftën në Ukrainë dhe zhvillimet në skenën globale. Gjatë takimit, të pranishmit u zotuan se do të vazhdojnë përkrahjen për Ukrainën dhe premtuan ndihma të reja ushtarake.
Takimi emergjent erdhi pasi Shtëpia e Bardhë pezulloi ndihmat ushtarake për Ukrainën.
Gjatë takimit, të pranishmit, edhe një herë, shprehën përkrahjen e tyre për Ukrainën në luftën kundër agresionit rus dhe premtuan ndihma të reja ushtarake për Kievin, përderisa thanë edhe se do të vazhdojnë me fuqizimin e ushtrive dhe industrive ushtarake evropiane.
Mes tjerash, Belgjika tha se do të dërgojë aeroplanë F-16 për t’i ndihmuar aviacionit ukrainas, përderisa Qeveria Britanike njoftoi për kontrata të reja për fluturake pa pilot të dizajnuara për të ndihmuar forcat ukrainase në luftën kundër Rusisë.
Njëkohësisht, disa vende, përfshirë edhe Kroacinë, Slloveninë dhe Norvegjinë, kanë njoftuar se kanë vendosur të rrisin buxhetet e mbrojtjes, përderisa së paku 20 shtete shprehën gatishmërinë të bëhen pjesë e koalicionit të mundshëm të shteteve, të cilat do të dërgojnë paqeruajtës në Ukrainë, në rast se arrihet ndonjë marrëveshje armëpushimi.
Gjithashtu është njoftuar se Lituania dhe disa anëtarë tjerë të BE-së kërkuan proces të përshpejtuar të hyrjes në Bashkimin Evropian për Ukrainën dhe shtuan se data më e largët e hyrjes së Ukrainës në BE do të duhej të ishte 31 janari i vitit 2030.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili ishte prezent në takim, falënderoi aleatët evropianë për përkrahjen e pandalur, duke shtuar se "Evropa është duke e bërë gjënë e duhur". Ai tha se Kievi dëshiron paqe që nga dita e parë e invazionit rus, por shtoi se paqja nuk mund të vijë duke hequr dorë nga Ukraina në tërësi. Zelensky gjithashtu tha se ende ekziston mundësia e arritjes së paqes në mënyrë diplomatike, duke shtuar se për një gjë të tillë besimi mes dy palëve është kyç.
Zelensky deklaroi gjithashtu se për të garantuar besimin e dyanshëm, Moska dhe Kievi duhet, fillimisht, të arrijnë armëpushim efektiv dhe pastaj të këmbejnë të gjithë robërit e luftës përnjëherë. Ai shtoi se tek pas këtyre hapave do të mund të fillojnë negociatat e vërteta.























