Putin vë në pikëpyetje planin e armëpushimit të Ukrainës
BKT
Rajoni dhe Bota

Putin vë në pikëpyetje planin e armëpushimit të Ukrainës

Flutura Bekqeli / RTK

Presidenti rus, Vladimir Putin, vuri në dyshim propozimin e ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara për një armëpushim në luftën me Ukrainën, duke kërkuar lëshime nga Kievi, ndonëse mbështet një armëpushim në teori.

“Ne jemi dakord me propozimin për ndërprerjen e armiqësive, por duhet të kemi parasysh se ky armëpushim duhet të synojë një paqe afatgjatë dhe duhet të shikojë shkaqet rrënjësore të krizës”, tha Putin në një konferencë shtypi , duke përsëritur pretendimet e mëparshme të Kremlinit se qeveria aktuale e Ukrainës është pjesë e problemit themelor.

Putin sugjeroi gjithashtu që Ukraina të ndalojë mobilizimin dhe çdo trajnim të trupave të saj, dhe që kombet e tjera të ndalojnë furnizimin me armë në Kiev gjatë armëpushimit, në një kohë kur trupat ruse po përparojnë pothuajse në të gjitha fushat e ku po zhvillohen luftime.  Megjithëse ideja e SHBA-së është ‘e shkëlqyer dhe e saktë’, shumë gjëra ende duhet të diskutohen, tha ai, duke shtuar se ‘ndoshta’ do të telefononte Presidentin e SHBA Donald Trump.

Konferenca për shtyp erdhi pasi i dërguari i posaçëm amerikan Steve Witkoff mbërriti në Moskë për të informuar zyrtarët e Kremlinit mbi planin e paqes. Zyrtarët ukrainas kishin pranuar propozimin e SHBA-së për një armëpushim 30-ditor që mbulonte të gjithë vijën e frontit pas bisedimeve me homologët amerikanë në Arabinë Saudite në fillim të kësaj jave.

 Komentet e Putinit tërhoqën shpejt dënimin nga Kievi, me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky që akuzoi liderin rus për zvarritje të negociatave në vend që ta refuzojë plotësisht marrëveshjen. "Putini, natyrisht, ka frikë t'i thotë Presidentit Trump drejtpërdrejt se ai dëshiron të vazhdojë këtë luftë, se ai dëshiron të vrasë ukrainasit," tha ai, duke kritikuar përgjigjen e Putinit si "shumë manipuluese". Më vonë të enjten, Trump e quajti përgjigjen e Putinit "premtuese", por jo të plotë. Ndërkohë, ushtria ruse tha të enjten se kishte rimarrë Sudzha, qyteti më i madh që Ukraina dikur pushtonte në Kursk, në atë që do të përfaqësonte një fitore simbolike për Kremlinin.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota