Betohet kryeministri i ri i Kanadasë, Mark Carney
Hanife Osmani /RTK
Betohet kryeministri i ri i Kanadasë, Mark Carney, duke pasuar kryeministrin e deritanishëm, Justin Trudeau. Megjithatë në Kanada, zgjedhjet e parakohshme mbeten një opsion i mundshëm.
Kanadaja po përjeton një ndryshim të madh politik me betimin e Mark Carney, si kryeministri i ri të vendit, duke zëvendësuar kryeministrin i cili zyrtarisht sot dha dorëheqjen e tij, Justin Trudeau. Ceremonia e betimit u mbajt orën 16:00. Carney, një ish-guvernator i Bankës së Kanadasë dhe Bankës së Anglisë, u zgjodh me shumicë votash nga anëtarët e Partisë Liberale gjatë fundjavës.
Pavarësisht se është i ri në politikë, përvoja e tij me krizat financiare pritet të jetë e vlefshme, veçanërisht përballë sfidave të reja tregtare me SHBA-në. Presidenti amerikan Donald Trump ka vendosur tarifa të reja ndaj Kanadasë dhe ka sugjeruar madje se vendi mund të bëhet shteti i 51-të i SHBA-së. Në fjalimin e tij të fitores, Carney dha një përgjigje të ashpër: "Amerikanët nuk duhet të gabojnë? Në tregti, si në hokej, Kanadaja do të fitojë".Ndërkohë, burime mediatike raportojnë se Carney do të formojë një kabinet shumë më të vogël sesa ai i Trudeau, duke reduktuar numrin e ministrave nga 36 në rreth 15-20. Megjithatë, ministritë kryesore që lidhen me luftën tregtare me SHBA-në pritet të mbeten të pandryshuara.
Largimi i Trudeau shënon fundin e një dekade në pushtet, gjatë së cilës ai përballoi administratën e parë të Trump, pandeminë e Covid-19 dhe sfida të tjera madhore. Në mesazhin e tij të lamtumirës, Trudeau shprehu krenarinë për shërbimin ndaj Kanadasë dhe u kërkoi qytetarëve të qëndrojnë të bashkuar përballë sfidave të ardhshme.























