Fitojnë Golden Eagle Ylli dhe Peja
BKT
Sport

Fitojnë Golden Eagle Ylli dhe Peja

Uran Krasniqi / RTKLive

Golden Eagle Ylli dhe Peja kanë regjistruar fitore në ndeshjet e xhiros së njëzet e katërt të Superligës së Kosovës në basketboll, të zhvilluara të dielën mbrëma.

Skuadra nga Suhareka ka dominuar përballjen në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në kryeqytet ndaj Sigal Prishtinës, duke fituar me rezultatin bindës 85:62.

Jalen Nesbitt ka qenë lojtari më i dalluar për Yllin, duke regjistruar dyshifror të dyfishtë me tetëmbëdhjetë pikë, pesëmbëdhjetë kërcime dhe pesë asistime.

Në anën tjetër, Muhamedali Janjeva ka qenë më i miri për Sigal Prishtinën me dhjetë pikë, gjashtë kërcime dhe tri asistime.

Ndërkohë, Peja e ka mposhtur Borën me rezultatin 79:68.

Benas Griciunas ka kontribuuar me trembëdhjetë pikë, dymbëdhjetë kërcime dhe dy asistime për ekipin pejan, ndërsa te Bora, Alex Aveion Lomax ka shënuar gjashtëmbëdhjetë pikë, ka pasur dy kërcime dhe katër asistime, por nuk ka arritur ta ndihmojë ekipin e tij ta shmangë humbjen.

Në renditjen tabelore, Bashkimi vazhdon të kryesojë me dyzet e një pikë, i ndjekur nga Trepça me dyzet dhe Sigal Prishtina me tridhjetë e nëntë pikë. Peja ndodhet në vendin e katërt me tridhjetë e shtatë pikë, ndërsa Vëllaznimi dhe Ylli ndajnë vendin e pestë me nga tridhjetë e pesë pikë. Bora mban vendin e parafundit me tridhjetë e një pikë, kurse Proton Cable Prizreni është në fund të tabelës me njëzet e nëntë pikë.