Trump do të diskutojë të martën me Putinin për paqen në Ukrainë
Hanife Osmani /RTK
Donald Trump dhe Vladimir Putin do të diskutojnë për ndarjen e territorit dhe të centraleve energjetike në Ukrainë, ndërsa shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Kallas, paralajmëron se Rusia nuk kërkon paqe, por që lufta vazhdon me sulme intensive.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se do të diskutojë të martën me presidentin rus Vladimir Putin mbi çështjen e territorit dhe centraleve energjetike në kuadër të bisedimeve për paqen në Ukrainë. Trump ka lënë të kuptohet se ndarja e disa aseteve është tashmë në diskutim, ndërkohë që SHBA-ja vazhdon përpjekjet për një armëpushim, pavarësisht mungesës së një qëndrimi të qartë nga Rusia.
Ndërkohë, shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Kaja Kallas, ka deklaruar se Moska nuk dëshiron vërtet paqe, pasi kushtet e saj për një armëpushim përfshijnë objektivat strategjikë të saj në luftë.
Ajo ka theksuar se ‘topi është në fushën e Rusisë’ dhe se komuniteti ndërkombëtar duhet të ushtrojë presion për një marrëveshje të drejtë.
Liderët evropianë dhe aleatët e NATO-s po diskutojnë mundësinë e rritjes së shpenzimeve të mbrojtjes për të përballuar kërcënimin rus, ndërsa Ukraina kërkon përdorimin e të gjitha mjeteve diplomatike për ta detyruar Rusinë të pranojë një marrëveshje paqeje. Në këtë kontekst, BE-ja dhe aleatët perëndimorë vazhdojnë mbështetjen e tyre për Ukrainën, duke kërkuar garanci të qarta nga Rusia për një zgjidhje të qëndrueshme të konfliktit.
Nga zhvillimet në terren, situata në front mbetet e tensionuar. Rusia vazhdon avancimet në lindje të Ukrainës, duke përdorur epërsinë e saj. Sulmet me dronë nga të dyja palët kanë qenë intensive, me objektiv kryesor infrastrukturën energjetike të Ukrainës. Si pasojë, disa rajone ukrainase kanë mbetur pa energji elektrike.























