Zhvillimet e fundit për Ukrainën, Zelensky takime me liderë evropianë
Hanife Osmani /RTK
Liderët evropianë kërkojnë forcimin e Ukrainës përballë Rusisë. Ndërsa presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, kritikon ofertat e Rusisë për paqe, duke i quajtur propagandë të thellë.
Në një moment kyç për luftën në Ukrainë, liderët evropianë po diskutojnë hapat e ardhshëm për të siguruar që Kievi të jetë në një pozicion më të fortë.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky po zhvillon takime me liderë evropianë, përfshirë kryeministrin e Norvegjisë, ndërsa kancelari në largim i Gjermanisë, Olaf Scholz, thekson rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme për Ukrainën, pavarësisht nga çdo negociatë SHBA-Rusi.
Paralelisht, rreth 20 liderë ushtarakë nga vende të ndryshme janë mbledhur në Londër për të diskutuar mbi opsionet e mbështetjes për Ukrainën në rast të një armëpushimi. Ky grup, i quajtur “koalicioni i të gatshmëve”, i udhëhequr nga Britania dhe Franca, po shqyrton mundësinë e ofrimit të një misioni paqeruajtës në Ukrainë.
Nga ana tjetër, lufta vazhdon të marrë jetë njerëzish. Sulmet e fundit ruse në Ukrainë kanë shkaktuar të paktën dy viktima dhe disa të plagosur, ndërsa Rusia ka shpallur gjendje emergjente në Saratov pas një sulmi të fuqishëm me dronë nga Ukraina.
Ndërkohë, raportet mbi situatën në rajonin e Kurskut tregojnë për një tërheqje të trupave ukrainase, ndonëse nuk janë të rrethuara, ndryshe nga disa pretendime të mëparshme.
Zelensky i ka cilësuar deklaratat e fundit të Vladimir Putinit për një zgjidhje paqësore si propagandë, duke theksuar se sulmet ajrore të Rusisë tregojnë qëndrimin e vërtetë të Kremlinit ndaj paqes.























