Trump vazhdon luftën e tarifave, shkakton pasiguri në bursa
Luan Qorraj /RTK
Pak pasi bursat ndërkombëtare shënuan rritje, pas lajmit se SHBA-ja nuk do të aplikonte tarifa mbi pajisjet elektronike kineze, presidenti Donald Trump riktheu pasigurinë, duke paralajmëruar një sistem tjetër tarifimi për këto produkte.
Pak pasi që u njoftua se bursat ndërkombëtare kanë shënuar rritje të vlerave, të ndërlidhur me njoftimin e Administratës së Shteteve të Bashkuara se shumë produkte të popullarizuara elektronike që prodhohen në Kinë, përfshirë telefonat "E mençur" , tabletat dhe kompjuterët, nuk do t’i nënshtrohen tarifave , të cilat tani qëndrojnë në 145%, presidenti amerikan, Trump, nxiti dridhje të reja në bursa, pasi që sqaroi se edhe këto produkte do t’i nënshtrohen tarifave por, se për to do të përdoret një sistem tjetër i tarifimit. Megjithatë, Trump ende nuk ka thënë se çka do të nënkupton kjo, apo sa të larta do të jenë tarifat për këto produkte.
Njëkohësisht, zyrtarët në Administratën amerikane u kanë thënë mediumeve se, përkundër faktit se Pekini , i cili vazhdon t’i përgjigjet tarifave amerikane për produktet kineze me tarifa të veta, i ka bërë thirrje Washingtonit që të anulohen të gjitha tarifat dhe që dy palët t’i kthehen "rrugës së respektit të dyanshëm". Shtëpi a e Bardhë nuk planifikon të ndryshojë qëndrim dhe se është e gatshme të vazhdon "luftën e tarfiave" me Pekinin.
Ndërkohë, presidenti kinez, Xi Jinping, i cili ka nisur një turne të vendeve të Azisë Jug-lindore, dhe gjatë ditës së parë të turneut në Hanoi, nënshkroi një numër të marrëveshjeve tregtare me Vietnamin, njërin prej partnerëve më të rëndësishëm tregtare të SHBA-së në atë rajon, tha se kjo luftë nuk mund të ketë asnjë fitues të vërtetë.























