Kryetari i Ulqinit letër BE-së: Planifikimet e Spajiqit, tradhti shtetërore
Sh.Ç|RTKlive
Kryetari i Ulqinit, Genci Nimanbegu, i është drejtuar me letër Bashkimit Evropian për marrëveshjen e Qeverisë së Malit të Zi me Emiratet e Bashkuara, duke thënë se planifikimi për ndërtime është kundër vullnetit të pushtetit lokal dhe është diktaturë e pushtetit qendror.
Nimanbegu ka thënë se i ka dërguar letër presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duke shprehur shqetësimin për çështjen e Ulqinit, derisa ka shtuar se kjo komunë ka rëndësi unike kulturore, mjedisore dhe demografike.
“Për shkak të peshës dhe zhvillimeve të menjëhershme të përshkruara në letër, do të isha mirënjohës nëse ajo do të mund t'i transmetohej presidentes von der Leyen sa më shpejt që të jetë e mundur. Përmbajtja pasqyron pozicionin e unifikuar të institucioneve dhe komunitetit tonë vendor dhe ne besojmë se, me mbështetjen tuaj, zëri ynë do të dëgjohet në nivelet më të larta të Bashkimit Evropian”, thuhet në letrën e tij.
Sipas Nimanbegut, mbështetja e veprimeve të kryeministrit Milojko Spajiq “përkufizohet me tradhtinë e interesave shtetërore të një Mali të Zi civil dhe multietnik”.
Për këtë veprim, Nimanbegu i është drejtuar edhe qytetarëve të Ulqinit dhe Malit të Zi.
“
Meqenëse Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq, ka ndërmend që marrëveshjen me Emiratet e Bashkuara Arabe për turizmin dhe zhvillimin e pasurive të paluajtshme ta propozojë në rendin e ditës të Kuvendit të Malit të Zi për këtë të enjte, më 17 prill 2025, dhe përkundër përpjekjeve tona të shumta për ta bindur kryeministrin se kjo nuk është as demokratike dhe as në interes të qytetarëve të Ulqinit dhe të gjithë Malit të Zi, unë jam detyruar të ndërmarr përpjekje të tjera për të mbrojtur Plazhin e Madh në Ulqin dhe pjesët e tjera të bregdetit tonë nga arbitrariteti i investitorëve. Dhënia e tokës sonë, përfshirë edhe tokën private, pa kompensim për ndërtimin e banesave është e paprecedentë. Planifikimi i një qyteti të ri kundër vullnetit të Vetëqeverisjes Lokale është një akt diktature i pushtetit shtetëror”, ka shkruar ai në Facebook.
Nimanbegu, ka shkruar se në letër drejtuar presidentes Ursula von der Leyen, ka treguar arsyet kryesore pse BE-ja duhet të reagojë, dhe gjithashtu ka paralajmëruar BE-në për vendimet e dëmshme të Milojko Spajiq.
“Gjithashtu, si kryetar i një komune me shumicë shqiptare, kam informuar presidentin Begaj dhe kryeministrin Edi Rama për qëllimet e Qeverisë së Malit të Zi. Mbrojtja e Plazhit të Madh në Stoj është mbrojtje e rrugës evropiane të Malit të Zi. Mbështetja për aktet e Milojko Spajiqit kufizohet me tradhti të interesave shtetërore të një Mali të Zi qytetar dhe multietnik”, ka theksuar i pari i Ulqinit, Genci Nimanbegu.























