Hungaria miraton amendament që ndalon ngjarjet publike të komunitetit LGBTQ
G.K/RTKlive
Parlamenti i Hungarisë ka miratuar një amendament kushtetues që i jep qeverisë të drejtën të ndalojë ngjarjet publike të komunitetit LGBTQ+, duke shkaktuar reagime të forta nga opozita dhe organizatat për të drejtat e njeriut.
Amendamenti, i propozuar nga koalicioni qeverisës Fidesz-KDNP i kryeministrit Viktor Orbán, u miratua me 140 vota pro dhe 21 kundër. Ai parashikon që të drejtat e fëmijëve për zhvillim moral, fizik dhe shpirtëror të kenë përparësi ndaj çdo të drejte tjetër, përveç asaj për jetë – përfshirë të drejtën për tubim paqësor.
Kjo ndryshon praktikisht Kushtetutën për të mbështetur një ligj të miratuar në mars, i cili ndalon organizimin e eventeve nga komuniteti LGBTQ+, përfshirë edhe Paradën e Krenarisë në Budapest. Ligji lejon gjithashtu përdorimin e mjeteve të identifikimit përmes njohjes së fytyrës dhe vendosjen e gjobave deri në 481 euro për pjesëmarrësit në evente të ndaluara, raporton Euronews.
“E gjithë kjo nuk ka të bëjë fare me të drejtat e fëmijëve, por është një fushatë propagandistike,” deklaroi Dánel Döbrentey nga Bashkimi Hungarez për Liritë Civile.
Amendamenti përfshin edhe përcaktimin e vetëm dy gjinive në Kushtetutë – mashkull dhe femër – çka përjashton zyrtarisht njohjen e personave transgjinorë dhe interseksualë.
Protesta brenda dhe jashtë parlamentit shoqëruan votimin, ku deputetët e opozitës përdorën boritë për të ndërprerë seancën, ndërsa disa aktivistë u larguan me forcë nga policia pasi tentuan të bllokonin një hyrje të parlamentit.
Kritikët e shohin këtë si një përpjekje të qeverisë për të forcuar kontrollin dhe për të mobilizuar bazën e djathtë përpara zgjedhjeve të vitit 2026, në një kohë kur Orbán po përballet me rënie të mbështetjes në sondazhe. 























