Kaos në Spanjë e Portugali nga ndërprerja e rrymës
BKT
Rajoni dhe Bota

Kaos në Spanjë e Portugali nga ndërprerja e rrymës

M.M. /RTKlive

Një ndërprerje masive e energjisë elektrike ka përfshirë në pjesë të Spanjës dhe Portugalisë, duke fikur semaforët dhe duke shkaktuar kaos në aeroporte, stacione treni dhe në rrugë.

Operatori i rrjetit elektrik të Portugalisë, Redes Energéticas Nacionais (REN), tha se furnizimi me energji elektrike ishte ndërprerë në të gjithë gadishullin Iberik dhe në pjesë të Francës, të hënën në mëngjes.

Operatori spanjoll i rrjetit elektrik Red Electrica tha se po punonte me kompanitë e energjisë për të rivendosur energjinë elektrike. "Shkaqet po analizohen dhe të gjitha burimet po i kushtohen zgjidhjes së saj", raporton CNN.

Forcat policore të Portugalisë u thanë njerëzve të shmangnin udhëtimet e panevojshme sepse semaforët ishin në rrezik të prisheshin. "Ulini shpejtësinë dhe kushtoni vëmendje shtesë. Jepni përparësi drejtimit të sigurt: qetësia juaj shpëton jetë".

Në Madrid, trafiku rrugor pësoi mbingarkesë nga fikja e semaforëve. “Po ngisja makinën dhe papritmas nuk kishte semaforë… Ishte pak si xhungël”, tha Luis Ibáñez Jiménez për CNN. “Pashë një autobus të madh që po vinte dhe më duhej të përshpejtoja shumë për ta kaluar”.

Shkaku i ndërprerjes së papritur të energjisë ishte i paqartë, por ndikimi i tij ishte dramatik. Kryebashkiaku i Madridit, José Luis Martinez Almeida, u kërkoi njerëzve të minimizojnë lëvizjet e tyre dhe të telefonojnë shërbimet e emergjencës vetëm nëse është vërtet urgjente. Ai gjithashtu u bëri thirrje njerëzve të qëndrojnë larg rrugëve për punonjësit e emergjencës.

Fluturimet në aeroportet kryesore në rajon u vonuan ose u anuluan papritur, me udhëtarët që përpiqeshin të përshtateshin situatës.

Ellie Kenny, një pasagjere brenda aeroportit Humberto Delgado të Lisbonës, tha se qindra njerëz qëndruan në errësirë ​​në radhë, pa ajër të kondicionuar. Dyqanet pranonin vetëm para në dorë, tha ajo për CNN.

Operatori spanjoll i trenave Renfe tha se trenat ishin ndalur dhe nisjet u anuluan. Dhe në tunelet e metrosë, pasagjerët u zhytën në errësirë. Një video e postuar në mediat sociale tregoi vagonët e nxirë të metrosë të bllokuar në platformat e Madridit, ku metroja ishte pezulluar dhe hyrjet në stacione ishin të mbyllura me shirit ngjitës.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota