Albanese rizgjidhet kryeministër i Australisë
BKT
Rajoni dhe Bota

Albanese rizgjidhet kryeministër i Australisë

Luan Qorraj /RTK

Kryeministri australian, Anthony Albanese, ka arritur të fitojë edhe një mandat në krye të qeverisë, duke u bërë kështu kryeministri i parë në vend që rizgjidhet pas më shumë se dy dekadave.

Kryeministri australian Anthony Albanese, dhe partia e tij, Laburiste, kanë shënuar fitore të qartë në zgjedhjet e përgjithshme të Australisë duke e përforcuar edhe më shumë pozitën e tyre. Edhe pse numërimi i plotë i votave nuk do të përfundojë edhe disa ditë, tanimë është bërë e qartë që laburistët, në krye me Albanesen kanë përparësi tepër të madhe ndaj rivalëve të tyre, sipas numërimit të deritanishëm.

Laburistët kanë fituar së paku 86 ulëse në Parlament, dyfishin e rivalit të tyre kryesor- Koalicioni Konservator, i cili pritet të fiton pak më shumë se 40 ulëse përderisa Partia e Gjelbër vetëm një apo dy ulëse në Parlamentin në Canberra.

 Me këtë, Athony Albanese, u bë kryeministri i parë australian që arriti të rizgjidhet në më shumë se 20 vjet, besohet se përqendrimi i tij në çështjet e rëndësishme për votuesit, siç janë shëndetësia, situata ekonomike, ndryshimet klimatike dhe migracioni kanë ndihmuar laburistët të shënojnë një fitore kaq të madhe, njëkohësisht disa analistë kanë thënë se për shkak të situatës së ndryshueshme ndërkombëtare shumë votues australianë kanë preferuar të vazhdojnë me partinë dhe udhëheqësinë të cilën e njohin, në vend që të rrezikojnë me ndryshime të cilat mund të mos përfundojnë si pozitive.

 Albanese, nga ana e tij, ka sinjalizuar që planifikon të vazhdojë në drejtimin e deritanishëm ndërkombëtar duke vazhduar ti zhvillon forcat e armatosura australiane dhe armatimin e  tyre.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota