India dhe Pakistani me akuza të ndërsjella për sulmet me raketa
Flutura Bekqeli /RTK
Konfrontimi ndërmjet Indisë dhe Pakistanit u përshkallëzua më tej të shtunën, pasi Islamabadi nisi një operacion ushtarak hakmarrës ndaj sulmeve indiane në bazat e tij ushtarake gjatë natës.
Ushtria e Indisë tha se u kundërpërgjigj në mënyrë efektive ndaj operacionit ushtarak të Pakistanit. Tensioni i shtuar midis shteteve fqinje u ndez nga masakra e turistëve muajin e kaluar në Kashmirin e kontrolluar nga Indianët.
Më parë këtë javë, India goditi objektiva në Pakistan dhe Kashmirin e administruar nga Pakistani në përgjigje të një të sulmit vdekjeprurës militant në Pahalgam muajin e kaluar, për çka Islamabadi e ka mohuar përfshirjen.
India thotë se Pakistani përdori raketa për të shënjestruar bazat e saj, disa orë pasi Pakistani akuzoi Indinë se qëlloi në tre nga bazat e saj ajrore ushtarake.
Ushtria e Indisë akuzon Pakistanin se është duke e përshkallëzuar dhe provokuar situatën, ndërsa ushtria e Pakistanit pretendon se ka shkatërruar sistemet e mbrojtjes S-400 të Indisë - diçka që Delhi e mohon.
Të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për bombardime ndërkufitare dhe sulme me raketa dhe dronë që kur India filloi operacionin e saj ushtarak. Kashmiri i administruar nga India ka parë një kryengritje prej dekadash që ka marrë mijëra jetë. India dhe Pakistani pretendojnë plotësisht Kashmirin.
Kryediplomati i Uashingtonit, Marco Rubio, ofroi ndërmjetësimin e SHBA-së në konfliktin në përshkallëzim, ndërsa ka biseduar ndarazi me homologët e tij në të dy vendet, sipas Departamentit amerikan të Shtetit.
Fqinjët e armatosur me armë bërthamore tani janë të bllokuar në konfliktin e tyre ushtarak më të tensionuar në dekada, edhe pse komuniteti ndërkombëtar po bën thirrje për qetësi dhe përmbajtje.























