Trump takon presidentin e përkohshëm të Sirisë, ish-xhihadistin Al-Jolani
RTKlive
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, të mërkurën piu çaj me një ish-xhihadist, për të cilin deri vonë kishte një shpërblim prej 10 milionë dollarësh nga SHBA.
Presidenti i përkohshëm i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, i njohur më parë si Abu Mohammed al-Jolani, u takua me Trump në Riad, gjashtë muaj pas rrëzimit të regjimit të Assadit dhe shpalljes së tij si lider i vendit.
Al-Sharaa ishte në listën e terroristëve të SHBA-së që nga viti 2013 si udhëheqës i Frontit Al-Nusra, dega e Al Kaedës në Siri. Ai ka luftuar kundër forcave amerikane në Irak dhe më pas udhëhoqi kryengritjen islamiste që përmbysi Asadin.
Takimi, i përshkruar nga Siria si “historik”, ishte i pari ndërmjet një presidenti amerikan dhe sirian në 25 vjet. Sipas ministrisë së jashtme siriane, Trump u zotua të “qëndrojë pranë Sirisë në këtë moment kritik", shkruan CNN.
Një ditë më parë, Trump njoftoi heqjen e sanksioneve ndaj Sirisë, veprim që u prit me duartrokitje dhe ovacione në këmbë nga princi saudit Mohammed bin Salman.
Siria ka qenë në listën e shteteve sponsorizuese të terrorizmit që nga viti 1979. Ndër sanksionet më të ashpra ishte Akti Caesar i vitit 2019. Sipas Bankës Botërore, ekonomia e vendit u tkurr me më shumë se gjysmën mes viteve 2010–2020.
Trump i kërkoi Sharaa-s të ndërmarrë hapa si normalizimi me Izraelin, dëbimi i “terroristëve” të huaj dhe palestinezë, dhe ndihma për të parandaluar rikthimin e ISIS-it.
Sipas CNN, heqja e sanksioneve mund të hapë rrugë për investime të mëdha nga vendet e Gjirit dhe Turqia, që më herët kanë kërkuar fundin e izolimit të Sirisë.
Pas njoftimit të Trump, qytetarët sirianë festuan me fishekzjarre dhe flamuj nëpër rrugë. Monedha siriane u rrit me 27% ndaj dollarit. Ministri i tregtisë u përlot në një intervistë me Al Arabiya, duke thënë se Siria “po hyn në një fazë të re.”























