OKB kërkon hetim të pavarur për vrasjet pranë qendrës së ndihmave në Rafah
BKT
Foto: AFP
Rajoni dhe Bota

OKB kërkon hetim të pavarur për vrasjet pranë qendrës së ndihmave në Rafah

G.K/RTKlive

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, ka kërkuar një hetim të pavarur për vrasjet e ndodhura pranë një qendre shpërndarjeje ndihmash në Rafah të dielën, raporton BBC.

Sipas Kryqit të Kuq, spitali i tij në Rafah pranoi 179 persona të plagosur, 21 prej të cilëve u shpallën të vdekur. Agjencia e Mbrojtjes Civile e Hamasit e rriti numrin e viktimave në 31. Dëshmitarët kanë pohuar se u qëlluan ndërsa prisnin ndihma nga një qendër e drejtuar nga Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF), me mbështetje nga SHBA dhe Izraeli.

Ushtria izraelite mohoi se kishte hapur zjarr ndaj civilëve dhe e quajti raportimin “të rremë”, ndërsa GHF deklaroi se “nuk ka pasur asnjë incident në apo afër qendrës sonë”.

Guterres u shpreh “i tmerruar” nga ngjarja dhe kërkoi që autorët të mbahen përgjegjës. Izraeli reagoi duke e quajtur deklaratën e tij “turp” dhe e kritikoi për mospërmendjen e Hamasit.

“Jam i tmerruar nga raportet për palestinezë të vrarë dhe të plagosur ndërsa kërkonin ndihma në Gaza dje. Kërkoj një hetim të menjëhershëm dhe të pavarur për këto ngjarje dhe që autorët të mbahen përgjegjës”, tha Guterres, raporton BBC.

Të hënën, sipas raportimeve, tre palestinezë të tjerë u vranë nga zjarri izraelit pranë të njëjtës qendër në Rafah. Ndërkohë, në veri të Gazës, një sulm tjetër izraelit në Jabalia la të vdekur 14 persona, përfshirë gjashtë fëmijë.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota