Rrëzohet koalicioni qeverisës në Holandë
Flutura Bekqeli /RTK
Udhëheqësi holandez i ekstremit të djathtë, Geert Wilders, e ka tërhequr partinë e tij nga qeveria, duke rrëzuar koalicionin qeverisës pas më pak se një viti.
Ky veprim i cili u nxit nga një debat mbi imigracionin tani ka të ngjarë të çojë në zgjedhje të parakohshme. Kryeministri Dick Schoof u kishte bërë një apel të minutës së fundit udhëheqësve të partive të koalicionit të martën në mëngjes, por takimi zgjati vetëm një minutë para se Wilders të largohej, duke i dhënë fund koalicionit.
Wilders kishte kërkuar 10 masa shtesë për azilin, duke përfshirë ngrirjen e kërkesave për azil, ndalimin e ndërtimit të qendrave të pritjes dhe kufizimin e ribashkimit familjar.
Pati tronditje dhe zemërim midis udhëheqësve politikë, shumë prej të cilëve theksuan se disa nga kërkesat e Wilders janë të ngjashme me politikat që janë tashmë në marrëveshjen e koalicionit dhe se ata nuk do të pengonin Partine e tij t'i zbatonte ato. Shumë nga propozimet shtesë të paraqitura nga Wilders ishin hedhur poshtë gjatë bisedimeve të koalicionit për shkak të shqetësimeve ligjore.
Vendimi i Wilders i ka dhënë fund një koalicioni qeverisës të pasigurt që lindi në korrik 2024 pas muajsh debatesh politike pas zgjedhjeve të vitit të kaluar. Ministrat do të mblidhen këtë pasdite për një takim urgjent dhe pritet që Kryeministri Schoof t'i ofrojë dorëheqjen e kabinetit Mbretit Willem-Alexander para fundit të ditës. Media holandeze raporton se zgjedhjet e reja mund të mbahen në vjeshtë.
Një tjetër mundësi për Schoof është të qëndrojë si udhëheqës i një qeverie minoritare - megjithëse në këtë rast partitë e qendrës së djathtë dhe të krahut të djathtë do të duhet të formojnë aleanca të dobëta me opozitën liberale të krahut të majtë për të miratuar legjislacionin. Me samitin e NATO-s që do të mbahet në Hagë në fund të muajit, ka të ngjarë që ministrat e Schoof të mbeten në pushtet në një cilësi të përkohshme derisa të caktohet një datë për kthimin e Holandës në zgjedhje.























