Kore e Jugut, opozita fiton presidencën pas kaosit politik
BKT
Rajoni dhe Bota

Kore e Jugut, opozita fiton presidencën pas kaosit politik

M.M./ RTKlive

Koreja e Jugut i ka dhënë një fitore vendimtare kandidatit të opozitës, Lee Jae-myung, gjashtë muaj pasi dështoi përpjekja e paraardhësit të tij për vendosjen e ligjit ushtarak.

Lëvizja e shkurtër, por katastrofike, shkaktoi protesta të mëdha dhe i dha fund karrierës së ish-presidentit Yoon Suk Yeol, i shkarkuar dhe i larguar nga detyra. Ai ende përballet me akuza penale për abuzim me pushtetin e tij, raporton BBC.

Por kaosi politik që pasoi do të thotë se sfida më e madhe e Lee-së, si fitues, është ende përpara tij. Ai duhet të bashkojë një vend të polarizuar që ende po përjeton vështirësi.

Ai përballet gjithashtu me sfida jashtë vendit – më e rëndësishmja, negocimi i një marrëveshjeje tregtare me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, për të zbutur goditjen e tarifave nga aleati më i ngushtë i Koresë së Jugut.

Rivali i tij kryesor ishte kandidati i partisë në pushtet dhe një ish-anëtar i kabinetit të Yoon, Kim Moon-soo.

Ai kishte qenë prapa Lee-së për javë të tëra në sondazhe dhe në orët e para të së mërkurës, ai pranoi humbjen, duke e përgëzuar Lee-në “për fitoren e tij”.

Në një fjalim të mëparshëm, Lee kishte lënë të kuptohej për fitoren, por nuk e kishte deklaruar atë. Ai tha se “rimëkëmbja” e demokracisë së Koresë së Jugut do të ishte përparësia e tij e parë.

Analistët thonë se fitorja e Lee-së është gjithashtu një refuzim i partisë në pushtet, e cila u njollos nga urdhri i Yoon për ligjin ushtarak.

“Zgjedhjet u bënë një mjet për të shprehur zemërimin... [dhe] ishin një qortim i qartë ndaj partisë në pushtet, e cila kishte qenë bashkëpunëtore ose drejtpërdrejt përgjegjëse për masat e ligjit ushtarak,” tha Park Sung-min, shef i ‘Min Consulting’, për BBC.

Fitorja e Lee-së, shton ai, tregon se votuesit e kishin vënë demokracinë e Koresë së Jugut “mbi të gjitha”.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota