Irani ka lëshuar rreth 20 raketa në sulmet e fundit ndaj Izraelit
Sh.Ç /RTKlive
(E plotësuar) Irani dhe Izraeli po shkëmbejnë zjarr për të pestën ditë me radhë.
Një zyrtar ushtarak izraelit tha se në raundin e fundit të sulmeve iraniane, u lëshuan rreth 20 raketa, shumica e të cilave u kapën, por se disa goditje u identifikuan në zona të hapura, raporton BBC.
BBC shkruan se reporterët e saj kishin dëgjuar shpërthime në disa pjesë të Izraelit dhe se të paktën një goditje ishte raportuar në qendër të vendit.
Irani lëshoi dy valë raketash në përgjigje të sulmeve izraelite, duke vendosur alarme për sulm ajror në pjesë të Izraelit qendror dhe verior në orët e para të mëngjesit.
Izraeli: Është vrarë i sapoemëruari shef i shtabit ushtarak në Iran
Izraeli ka theksuar se e ka vrarë shefin e shtabit të Ushtrisë së Iranit, vetëm pak ditë pasi mori detyrën si zëvendësues i komandantit të vrarë në sulmet e para.
“Me inteligjencë precize nga Forcat e Mbrojtjes të Izraelit dhe shansin e papritur gjatë natës, Forca Ajrore e Izraelit ka goditur një qendër komanduese në zemër të Teheranit dhe ka eliminuar Ali Shadmanin”, thuhet në njoftim të Ushtrisë së Izraelit.
Për këtë pretendim të Izraelitm, Irani ende nuk ka thënë asgjë.
Shadmani mori detyrën të premten, menjëherë pasi Izraeli vrau komandantët kryesorë, përfshirë pararendësin e tij, gjenerallejtënant Gholam Ali Rashidin.
Rashidi dhe Shadmani kanë udhëhequr një njësit që koordinon ushtrinë e rregullt me Gardën Revolucionare Iraniane.
Sipas Ushtrisë së Izraelit, “në disa role të ndryshme, Shadmani ka ndikuar direkt në planet operacionale të Iranit kundër shtetit të Izraelit”.
Ndërkohë, mediat në Iran kanë raportuar se ka pasur shpërthime të rënda nga ajri në Teheran gjatë orëve të hershme të mëngjesit të së martës.
Mediat ndërkombëtare kanë publikuar fotografi që tregojnë kolona të gjata të veturave duke u larguar menjëherë, pasi presidenti amerikan, Donald Trump, u bëri thirrje që të evakuohen nga kryeqyteti.
Gjatë natës, Irani lansoi dy valë raketash si përgjigje ndaj sulmeve të Izraelit, duke lëshuar alarmet në disa pjesë të shtetit hebre.
Sulmet ishin më pak intensive se një natë më herët, dhe nuk është raportuar për dëme direkte.
Duke folur për mediat, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se shteti i tij i ka dëmtuar dukshëm programet bërthamore dhe të raketave balistike të Iranit – por se “u duhet ende më shumë kohë”.
Ministrat e Jashtëm të 20 vendeve myslimane dënojnë sulmet izraelite
Ministrat e jashtëm të vendeve arabe dhe myslimane kanë dënuar fuqishëm sulmet e Izraelit ndaj Iranit dhe kanë bërë thirrje për një ulje të tensioneve në konflikt.
Një letër e përbashkët e nënshkruar nga ministrat e jashtëm të Egjiptit, Jordanisë, Pakistanit, Bahreinit, Bruneit, Turqisë, Çadit, Algjerisë, Komoreve, Emirateve të Bashkuara Arabe, Xhibutit, Arabisë Saudite, Sudanit, Somalisë, Irakut, Omanit, Katarit, Kuvajtit, Libisë dhe Mauritanisë shprehu "shqetësim serioz në lidhje me përshkallëzimin e rrezikshëm në rajon", raportoi CNN , duke cituar agjencinë e lajmeve egjiptiane Mena .
Siç u tha, ministrat "përcaktuan nevojën për të respektuar sovranitetin dhe integritetin territorial të shteteve dhe parimin e fqinjësisë së mirë, duke u bërë thirrje të gjitha palëve të zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre në mënyrë paqësore".
Ata gjithashtu nënvizuan rëndësinë e krijimit të një Lindjeje të Mesme pa armë bërthamore dhe armë të tjera të shkatërrimit në masë dhe u bënë thirrje vendeve të aderojnë në Traktatin për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore.
“Konflikti duhet të zgjidhet diplomatikisht, jo me mjete ushtarake”, thuhet në deklaratë.
Izraeli thotë se raketat iraniane u kapën mbi Tel Aviv dhe Haifa
Konflikti midis Izraelit dhe Iranit ka hyrë në ditën e pestë. Forcat izraelite thonë se kanë kapur raketa iraniane mbi Tel Aviv dhe Haifa gjatë natës. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se Irani duhet ta kishte pranuar marrëveshjen bërthamore që i ishte ofruar dhe se Teherani duhet të evakuohej menjëherë.
Raketat balistike iraniane u kapën mbrëmë mbi Tel Aviv dhe Haifa, dhe nga ana tjetër, u raportuan disa shpërthime në Teheran. Pas sulmit iranian, rafineria e naftës në Haifa u mbyll.
Një incident detar është raportuar gjithashtu pranë Ngushticës së Hormuzit, raporton Times of Israel.
Lufta ajrore midis Iranit dhe Izraelit, e cila filloi të premten pasi Izraeli kreu sulme ajrore ndaj Iranit, ka ngritur shqetësime në një rajon që ka qenë tashmë në prag të konfliktit që nga fillimi i ofensivës ushtarake të Izraelit në Gaza në tetor 2023.
Grupi i Shtatë vendeve (G7) shprehu mbështetje për Izraelin në një deklaratë, duke e përshkruar Iranin si një burim paqëndrueshmërie në Lindjen e Mesme, shkruan Reuters .
Udhëheqësit e G7 bënë thirrje për një ulje më të gjerë të tensioneve në rajon.
"Ne riafirmojmë se Izraeli ka të drejtë të mbrohet. Ne përsërisim mbështetjen tonë për sigurinë e Izraelit", thanë udhëheqësit e G7 në një deklaratë.
“Irani është burimi kryesor i paqëndrueshmërisë dhe terrorit rajonal”, shtohet në deklaratë, duke theksuar se qëndrimi i G7 është i qartë - Irani nuk duhet të ketë kurrë armë bërthamore.
Kurse, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se Irani nuk duhet të ketë kurrë armë bërthamore dhe ka bërë thirrje për evakuim të menjëhershëm të Teheranit.
"Irani duhet ta kishte nënshkruar marrëveshjen që unë i ofrova. Çfarë humbjeje jetësh dhe humbjeje. Thënë thjesht, Irani nuk mund të ketë një armë bërthamore. E kam thënë vazhdimisht! Të gjithë duhet të largohen menjëherë nga Teherani", ka shkruar Trump në platformën Trud .
Ai ka theksuar se Amerika vjen e para dhe se slogani do të thotë shumë, duke përfshirë edhe vendosmërinë për të mos lejuar Iranin të zhvillojë armë bërthamore. Trump përfundoi duke thënë: "Le ta bëjmë Amerikën përsëri të madhe".
Sulmet e ndërsjella midis Izraelit dhe Iranit vazhdojnë, ndërsa konflikti midis dy vendeve thellohet.
Të paktën tetë persona janë vrarë në valën e fundit të sulmeve me raketa iraniane në të gjithë Izraelin, ndërsa më shumë se 280 persona janë plagosur - kryesisht në Tel Aviv, Haifa dhe zonën e Beershebës.
Avionët izraelitë shenjestruan ndërtesën e transmetuesit shtetëror iranian në Teheran, dhe iranianët paralajmëruan se do të shenjtëronin Kanalin 12 dhe Kanalin 14 të Izraelit.























