Trump: E dimë ku fshihet udhëheqësi suprem i Iranit, por nuk do ta godasim
RTKlive
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, në një postim të fundit në rrjetet sociale ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara e dinë saktësisht se ku ndodhet udhëheqësi suprem i Iranit. Ai tha se ky është një objektiv i lehtë, por për momentin nuk do të ndërmerren veprime për ta vrarë.
Trump theksoi se nuk duan që raketat të godasin civilët apo ushtarët amerikanë, duke paralajmëruar se durimi i tyre po shteron.
“E dimë saktësisht se ku po fshihet i ashtuquajturi ‘Udhëheqësi Suprem’.Është një objektiv i lehtë, por është i sigurt atje – nuk do ta eliminojmë (vrasim!), të paktën jo për tani. Por nuk duam që raketat të qëllojnë ndaj civilëve apo ushtarëve amerikanë. Durimi ynë po shteron", ka shkruar Trump.
Trump: Kemi kontroll total të hapësirës ajrore mbi Iranin
Në një postim tjetër, presidenti Trump theksoi se SHBA-ja ka kontroll të plotë dhe total të hapësirës ajrore mbi Iranin. Ai tha se, megjithëse Irani posedon pajisje të avancuara për mbrojtje ajrore, ato nuk mund të krahasohen me teknologjinë amerikane, të cilën e përshkroi si më të mirë në botë.
“Irani kishte pajisje të mira për ndjekjen e hapësirës ajrore dhe mjete të tjera mbrojtëse, dhe kishte mjaft prej tyre, por ato nuk krahasohen me pajisjet amerikane të dizajnuara, konceptuara dhe prodhuara. Askush nuk i bën më mirë se SHBA-ja e mirë e vjetër”, ka shkruar ai.
Megjithatë, BBC shkruan se zyrtarisht SHBA-ja nuk ka pranuar përfshirje në sulmet izraelite ndaj Iranit, pavarësisht mbështetjes së gjatë ushtarake ndaj Izraelit.























