Indonezia shpall alarmin më të lartë pas shpërthimit të vullkanit
M.M./ RTKlive
Një nga vullkanet më aktive të Indonezisë ka shpërthyer, duke nxjerrë një re të madhe hiri më shumë se 11 kilometra në qiell, të martën, pasi autoritetet shpallën alarmin më të lartë në vend.
Vullkani Mount Lewotobi Laki-Laki shpërtheu në orën 17:35 me orën lokale, njoftoi agjencia e vullkanologjisë së vendit, duke dërguar një re të madhe hiri mbi ishullin turistik Flores, raporton BBC News.
Një zonë përjashtimi prej 7 kilometrash është vendosur përreth kraterit të vullkanit me lartësi 1,584 metra. Nuk ka raportime të menjëhershme për dëme apo viktima.
Ky vullkan kishte shpërthyer disa herë në nëntor, duke vrarë nëntë persona dhe duke detyruar mijëra të evakuoheshin. Reja e hirit gjithashtu kishte shkaktuar anulimin e fluturimeve.
Kreu i agjencisë gjeologjike të Indonezisë, Muhammad Wafid, tha se askush nuk duhet të zhvillojë aktivitete brenda një rrezeje 7 kilometrash nga krateri dhe paralajmëroi për rrezikun e përmbytjeve me llavë dhe baltë (lahar), në rast se bie shi i dendur.
Banorët janë këshilluar të përdorin maska për t’u mbrojtur nga hiri vullkanik.
Agjencia Kombëtare për Menaxhimin e Fatkeqësive njoftoi se të paktën një fshat është evakuuar. Zëdhënësi i saj u bëri thirrje banorëve përreth vullkanit që “të evakuohen drejt vendeve të sigurta”, pasi dridhje të tokës vazhdojnë të ndihen, një shenjë e aktivitetit të vazhdueshëm vullkanik.
Shpërthimi i mëparshëm i Lewotobi Laki-Laki ishte në maj, kur autoritetet gjithashtu e ngritën nivelin e alarmit në më të lartin.
“Laki-Laki”, që në indonezisht do të thotë “burrë”, është binjak me një majë tjetër më të qetë, por më të lartë prej 1,703 metrash, të quajtur Perempuan – që do të thotë “grua”.























