Presidenti iranian: SHBA-ja duhet `të marrë përgjigje` për sulmet
RTKlive
Presidenti iranian Masoud Pezeshkian ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara duhet “të marrin një përgjigje” për sulmet ndaj objekteve bërthamore në Iran.
“Amerikanët duhet të marrin një përgjigje për agresionin e tyre,” tha Pezeshkian në një bisedë me presidentin francez Emmanuel Macron, sipas agjencisë zyrtare iraniane IRNA.
Në një postim në platformën X, Macron tha se gjatë bisedës me Pezeshkianin ai “bëri thirrje për ulje tensionesh dhe që Irani të tregojë përmbajtje maksimale në këtë kontekst të rrezikshëm, për të mundësuar një kthim në rrugën diplomatike.”
Pezeshkian u bëri thirrje iranianëve që të bashkohen përballë sulmeve nga Izraeli dhe SHBA-ja. Ai iu bashkua një marshimi në Teheran ku protestuesit brohoritën slogane kundër Izraelit dhe SHBA-së, raportoi agjencia Fars.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, deklaroi më herët të dielën se do të ketë “pasoja të përhershme” për sulmet e SHBA-së.























