Presidenti i Iranit pezullon bashkëpunimin me IAEA
BKT
Rajoni dhe Bota

Presidenti i Iranit pezullon bashkëpunimin me IAEA

B.H./RTKlive

Presidenti i ri i Iranit, Masoud Pezeshkian, ka vënë në zbatim një ligj të ri që pezullon bashkëpunimin e Iranit me Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA). Ky vendim vjen pas miratimit të ligjit nga parlamenti iranian javën e kaluar.

Sipas medias shtetërore iraniane, tash e tutje, IAEA nuk do të ketë më qasje të lirë për të inspektuar objektet bërthamore të Iranit, përveç nëse një gjë e tillë miratohet më parë nga Këshilli i Lartë i Sigurisë Kombëtare, i cili drejtohet nga vetë presidenti Pezeshkian.

Ky vendim vjen si reagim ndaj një vendimi të IAEA-s më 12 qershor, kur bordi i saj i guvernatorëve e shpalli Iranin në shkelje të Marrëveshjes për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (NPT), një marrëveshje ndërkombëtare që synon parandalimin e përhapjes së armëve bërthamore.

Menjëherë pas këtij vendimi të IAEA-s, Izraeli dhe SHBA-ja nisën sulme ajrore ndaj disa objekteve të dyshuara bërthamore në Iran, përfshirë fabrikën e pasurimit të uraniumit në Fordo. Këto sulme kanë shkaktuar dëme serioze dhe janë ndjekur nga një përplasje ushtarake që ka shkaktuar mbi 1,000 të vrarë në Iran dhe dhjetëra në Izrael.

Udhëheqësit iranianë akuzojnë IAEA-n se po vepron në mënyrë të njëanshme në shërbim të vendeve perëndimore, duke justifikuar sulmet izraelite dhe amerikane. Në një seancë të fundit të parlamentit iranian, deputetët brohoritën kundër SHBA-së dhe Izraelit, ndërsa gazeta të afërta me qeverinë kanë akuzuar madje drejtorin e IAEA-s, Rafael Grossi, si “spiun izraelit”.

Vendimi i Iranit ka shkaktuar shqetësim të madh ndërkombëtar. Britania, Franca dhe Gjermania i bënë thirrje Iranit që të rikthehet në bashkëpunim të plotë me IAEA-n dhe të mos fshehë asnjë pjesë të programit të tij bërthamor.

Irani nuk ka dalë nga marrëveshja bërthamore (NPT), por ka pezulluar bashkëpunimin praktik me IAEA-n, që do të thotë se tani inspektimet ndërkombëtare janë pothuajse të pamundura.

Ky vendim mund të përshkallëzojë tensionet në Lindjen e Mesme dhe të komplikojë përpjekjet për të kthyer Iranin në tryezën e bisedimeve bërthamore. Gjithashtu, mungesa e kontrollit të pavarur nga IAEA e rrit frikën se Irani mund të përshpejtojë zhvillimin e teknologjisë për armë bërthamore, gjë që e mohon vetë Teherani.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota