Kievi goditet nga një breshëri sulmesh me dronë
BKT
Rajoni dhe Bota

Kievi goditet nga një breshëri sulmesh me dronë

M.M./ RTKlive

Autoritetet ukrainase njoftojnë se të premten në mëngjes Kievi u përball me sulme intensive nga ana e Rusisë.

Ukraina tha se Rusia kishte lëshuar një rekord prej 550 dronësh dhe 11 raketash gjatë  natës.

Sulmet ndodhën disa orë pas një telefonate mes Donald Trump-it dhe Vladimir Putin-it, pas së cilës presidenti amerikan deklaroi se ishte "i zhgënjyer" që Putini nuk ishte i gatshëm të përfundonte luftën e Rusisë kundër Ukrainës, raporton BBCNews.

Forcat ajrore të Ukrainës thanë se sulmet ajrore të Rusisë gjatë natës thyen një tjetër rekord, me 72 nga 550 dronët që arritën të kalonin mbrojtjen ajrore – më shumë se rekordi i mëparshëm prej 537 dronësh, lëshuar të shtunën e kaluar.

Sirenat e alarmit për sulm ajror ranë për më shumë se tetë orë, pasi disa valë sulmesh goditën Kievin, që sipas forcave ajrore ishte "shënjestra kryesore e sulmeve", shkruhet në Telegram.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, e dënoi këtë si "njërën nga netët më të këqija" në kryeqytet dhe kërkoi që “Moska të përballet me sanksionet më të rënda, pa asnjë vonesë”.

“Natë absolutisht e tmerrshme dhe pa gjumë në Kiev. Një nga më të këqijat deri tani”, shkroi Sybiha në rrjetin X.

Ai theksoi se kjo ndodhi menjëherë pas telefonatës së Putinit me Trump-in, teksa shtoi se: "[Putini] e bën me qëllim dhe tregon qartë përbuzjen e tij ndaj Shteteve të Bashkuara dhe çdokujt që ka bërë thirrje për përfundimin e luftës”.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota