BDI: Maqedonia e Veriut, pa integrim e pa barazi
M.M. /RTKlive
BDI shpreh shqetësim serioz për trendin e përjashtimit sistematik të qytetarëve nga komuniteti shqiptar dhe komunitetet e tjera etnike nga institucionet publike.
Në një njoftim për medie, BDI bën të ditur se gjatë javës së kaluar, në dhjetëra institucione shtetërore dhe ndërmarrje publike janë realizuar qindra punësime të reja.
“Sipas të dhënave të disponueshme, asnjëri nga të punësuarit nuk i përket ndonjërit nga komunitetet që përbëjnë mbi 40% të strukturës shoqërore të shtetit. Ky model nuk është rastësi administrative, por tregon për një qasje të institucionalizuar që minon përfaqësimin e drejtë të garantuar me Kushtetutë”, thuhet në njoftim.
Sipas BDI-së ky rezultat është një asimetri serioze institucionale që cenon drejtpërdrejt funksionalitetin e sistemit multietnik, teksa sqaron se ky trend po zhvillohet paralelisht me stagnimin e procesit të integrimit evropian dhe afrimin e hapur të shtetit me konceptin e të ashtuquajturit “botë serbe”.
BDI, tutje, thekson se shteti po largohet gjithnjë e më shumë nga vlerat evropiane të gjithë përfshirjes, barazisë dhe transparencës, duke u orientuar drejt një modeli që favorizon vetëm një strukturë etnike në të gjitha sferat kyçe të jetës publike.
“Pasojat tashmë janë të dukshme: humbje e besimit në institucione, apati në rritje tek të rinjtë, dhe thellim i ndarjeve etnike që rrezikojnë stabilitetin afatgjatë”, nënvizon kjo parti.
“Bëjmë thirrje që të rishqyrtohet kjo rrugë dhe që shteti të kthehet në drejtim të standardeve evropiane, përmes institucioneve transparente, gjithëpërfshirëse dhe të drejta që pasqyrojnë realisht strukturën multietnike të vendit”, thuhet në fund të njoftimit.























