BDI: Maqedonia e Veriut po izolohet gjithnjë e më shumë
BKT
Rajoni dhe Bota

BDI: Maqedonia e Veriut po izolohet gjithnjë e më shumë

V.S/RTKlive

Bashkimi Demokratik për Integrim ka shprehur shqetësimin, për siç thonë ata, për drejtimin që ka marrë qeveria e re e përpjekjet, sipas tyre, për të defokusuar opinionin nga temat strategjike, e në veçanti nga integrimi evropian.

“Jemi dëshmitarë se gjatë ditës së djeshme, vetë Kryeministri Hristijan Mickoski e pranoi hapur se propozimi për tatimin ndaj personave të pamartuar ishte një temë “e hedhur” për të krijuar debat, pra një mjet i qëllimshëm për të shmangur vëmendjen nga çështjet reale dhe urgjente me të cilat përballet vendi. Ky pohim i Kryeministrit është alarmant, sepse konfirmon se kjo qeveri nuk udhëhiqet nga vizion afatgjatë për vendin, por nga kalkulime ditore, për të fshehur dështimet dhe për të mbajtur opinionin larg të vërtetës”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga BDI-ja.

BDI thotë se Maqedonia e Veriut po izolohet gjithnjë e më shumë. “Këtë e konfirmon edhe raporti i fundit i Parlamentit Evropian, në të cilin theksohet stagnimi i vendit në rrugën drejt integrimit, ndikimi i shtuar i Rusisë dhe i konceptit të “botës serbe” në politikat e brendshme të shtetit, si dhe mungesa e progresit demokratik”.

Bashkimi Demokratik për Integrim thotë se ndikimi rus dhe ai i konceptit serbomadh kanë për qëllim që Maqedoninë e Veriut ta mbajnë të izoluar, larg Bashkimit Evropian. “Brenda këtij skenari, pjesë përbërëse është edhe përjashtimi sistematik i shqiptarëve nga institucionet, nga vendimmarrja dhe nga jeta publike”.

BDI-ja thotë se qeveria, në vend që të jetë faktor i bashkimit, po zbret drejt një plani, sipas tyre, të rrezikshëm, që synon përçarjen ndëretnike, margjinalizimin e shqiptarëve dhe zbehjen e orientimit euroatlantik të vendit.

“BDI do të vazhdojë të qëndrojë fuqishëm në mbrojtje të interesave euroatlantike të qytetarëve dhe të vendit, duke kundërshtuar çdo përpjekje për izolim, defokusim apo përjashtim”, thuhet në komunikatën e tyre.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota