Maresca i Chelsea-s: Erdhëm këtu për të fituar, jo vetëm për të garuar
F.B/RTKLive
Chelsea ka shkruar historinë në Kupën e Botës për Klube, duke fituar trofeun e kësaj garë prestigjioze.
Londinezët mposhten me rezultat të pastër 3-0 Paris Saint-Germain në finalen e zhvilluar të dielën mbrëma.
‘Blutë’ e Londrës dominuan takimin që nga minuta e parë, duke treguar pjekuri taktike dhe një mentalitet fitues që la pa përgjigje kampionët e Francës.
Pas ndeshjes, trajneri Enzo Maresca u shpreh shumë i lumtur me trofeun e fituar dhe paraqitjen e skuadrës së tij ndaj PSG-së.
“Ne e fituam ndeshjen në dhjetë minutat e para”, deklaroi Maresca.
“Vendosëm menjëherë ritmin dhe stilin tonë të lojës. Që nga ajo kohë, kontrolluam gjithçka”.
“PSG është ndoshta ekipi më i fortë në botë, me një trajner të jashtëzakonshëm. Por ne erdhëm këtu për të fituar, jo vetëm për të garuar”, ka theksuar ai.
Ky sukses është një sinjal i qartë se Chelsea i Marescas është rikthyer fuqishëm në skenën ndërkombëtare dhe gati për të sfiduar elitën e futbollit botëror.























