Luftimet ndërmjet forcave qeveritare siriane dhe komunitetit druz vazhdojnë
Bardhyl Bajrami /RTK
Luftimet ndërmjet forcave qeveritare siriane dhe pjesëtarëve të komunitetit druz vazhdojnë. Që nga e diela, kur nisën përleshjet, janë vrarë rreth 200 persona.
Të paktën 200 persona janë vrarë që nga e diela, kur shpërthyen përleshjet mes milicisë druze dhe fiseve beduine, pas raportimeve për rrëmbimin e një tregtari nga komuniteti druz në një rrugë që tëçon drejt Damaskut.
Izraeli raportoi dje se ka goditur forcat qeveritare siriane përreth qytetit Sweida, ku jetojnë pjesëtarë të këtij komuniteti, ndërkohë që Ministria siriane e Mbrojtjes deklaroi se është arritur një marrëveshje me milicinë druze për vendosjen e trupave qeveritare në zonë.
Po dje, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu, deklaroi se kishte urdhëruar sulme kundër forcave qeveritare në rajonin e Suweidës, pasi, sipas tij, qeveria siriane synonte t’i përdorte ato kundër pjesëtarëve druzë.
Netanjahu tha se është i përkushtuar të parandalojë dëmtimin e komunitetit druz në Siri, për shkak të lidhjeve të ngushta me druzët që jetojnë në Izrael dhe në Rrafshnaltën e Golanit, e cila është e okupuar nga Izraeli.
Ndërkohë, të mërkurën, dhjetëra pjesëtarë druzë që jetojnë në Rrafshnaltën e Golanit kaluan rrethojën kufitare me Sirinë, për të arritur te bashkëkombësit e tyre në Siri, të cilët janë përfshirë në luftime me forcat qeveritare siriane në zonën e Sweidës. Ushtria izraelite po përpiqet të përforcojë praninë e saj ushtarake në këtë zonë dhe njëkohësisht po kryen sulme kundër objektivave që i përkasin regjimit sirian.
Deri më tani, vetëm provinca e Suweidës kishte mbetur nën kontrollin e milicisë druze, e cila kishte refuzuar të bashkohej me forcat qeveritare.























