Prishtina fiton ndaj Sheriff Tiraspol, por eliminohet nga Europa League
Uran Krasniqi / RTKLive
(E plotësuar, 21:55) Prishtina ka arritur një fitore me rezultat 2-1 ndaj Sheriff Tiraspol në stadiumin “Fadil Vokrri”, por kjo nuk ka mjaftuar për të kaluar më tej në kualifikimet e Europa League, pasi humbja 4-0 në Moldavi ka peshuar rëndë në rezultatin e përgjithshëm.
Pjesa e parë e takimit është mbyllur pa gola, me skuadrën kosovare që e ka nisur ndeshjen më kërkuese, duke tentuar të gjejë sa më parë golin e avantazhit.
Në minutat e para, Prishtina ka pasur një moment të diskutueshëm, kur lojtarët kanë kërkuar penallti pas një zhvillimi në zonë, por pas rishikimit në VAR, gjyqtari ka konfirmuar se nuk kishte.
Në pjesën e dytë kanë ardhur edhe golat. Kanë qenë mysafirët nga Moldavia që kanë kaluar të parët në epërsi me golin e Serobyan në minutën e pesëdhjetë e një.
Reagimi i Prishtinës ka qenë i shpejtë: vetëm pesë minuta më vonë Namani e ka barazuar rezultatin në 1-1.
Skuadra kosovare ka vazhduar të këmbëngulë dhe e ka gjetur golin e fitores me anë të Ahmetit në minutën e gjashtëdhjetë e pestë, duke përmbysur ndeshjen në 2-1.
Megjithatë, fitorja në këtë ndeshje nuk ka mjaftuar për të përmbysur humbjen e rëndë nga takimi i parë, duke e çuar Sheriff Tiraspol në raundin tjetër të Europa League me rezultatin e përgjithshëm 6-2.
Prishtina do ta vazhdojë rrugëtimin evropian në kualifikimet e Conference League.
Prishtina dhe Sheriff Tiraspol mbyllin pa gola pjesën e parë
Është mbyllur pa gola pjesa e parë e ndeshjes mes Prishtinës dhe Sheriff Tiraspol, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Skuadra vendase e ka nisur ndeshjen më kërkuese, duke u përpjekur të gjejë golin e avantazhit, ndërsa në minutat e para ka pasur edhe një moment diskutues.
Lojtarët e Prishtinës kanë kërkuar penallti pas një zhvillimi brenda zonës, duke detyruar gjyqtarin ta ndalojë lojën për ta shqyrtuar vendimin me ndihmën e VAR. Megjithatë, pas rishikimit, vendimi ka qenë i qartë: nuk ka pasur penallti.
Pjesa tjetër e fraksionit të parë nuk ka prodhuar ndonjë rast të rrezikshëm për asnjërën skuadër. Megjithatë, në dispozicion të të dy ekipeve mbetet edhe pjesa e dytë për të ndryshuar fatin e takimit.
Në ndeshjen e parë të zhvilluar në Moldavi, Sheriff Tiraspol kishte fituar bindshëm me rezultatin 5-0.























