Qëndrimet e Moskës dhe Kievit, të largëta, bëhet shkëmbim i burgosurve
Sh.Ç /RTKlive
Raundi i tretë i bisedimeve midis Ukrainës dhe Rusisë në Stamboll zgjati rreth 40 minuta. Shkëmbimi i robërve të luftës, për të cilin u ra dakord, u krye menjëherë pas arritjes së marrëveshjes.
Në më pak se një orë negociatash në Pallatin Ciragan në Stamboll, delegacionet e Rusisë dhe Ukrainës ranë dakord për një shkëmbim të ri të të burgosurve.
Sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Ukrainës dhe kreu i delegacionit ukrainas, Rustem Umerov, deklaroi se Ukraina vazhdon të këmbëngulë për një armëpushim të plotë dhe pa kushte si një bazë e nevojshme për diplomaci efektive.
Kurse, ndihmësi i Presidentit rus Vladimir Putin dhe kreu i delegacionit rus në negociata, Vladimir Medinsky, tha pas raundit të tretë se Rusia i kishte ofruar Ukrainës një shkëmbim prej të paktën 1,200 robërish lufte nga të dyja palët, si dhe që Kievi të shqyrtonte çështjen e armëpushimeve të shkurtra prej 24 ose 48 orësh, me qëllim marrjen në dorë të të plagosurve dhe trupave të ushtarëve të vdekur.
Pas përfundimit të raundit të tretë të bisedimeve të paqes në Turqi, Rusia priti grupin e parë të të burgosurve të luftës nga Ukraina.
Kurse, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky njoftoi në kanalin e tij Telegram se faza e nëntë e shkëmbimit të të burgosurve midis Ukrainës dhe Federatës Ruse përfundoi mbrëmë bazuar në marrëveshjen e arritur në Stamboll, duke shtuar se ushtarët e sëmurë rëndë dhe të plagosur rëndë po kthehen në shtëpi.
Ai deklaroi se ushtarët që ktheheshin në shtëpi mbrojtën Ukrainën në fronte të ndryshme dhe një numër i konsiderueshëm kishin qenë në robëri për më shumë se tre vjet, raporton Ukrinform .
"Ata do të marrin mbështetjen dhe kujdesin e nevojshëm mjekësor. Faleminderit të gjithëve që punuan për këtë", tha Zelensky, duke shtuar se është e rëndësishme që shkëmbimet të vazhdojnë.
Presidenti ukrainas theksoi se procesi i kthimit të të burgosurve të luftës ukrainas është një përparësi për shtetin dhe njoftoi disa faza të tjera të këtij procesi.























