Përplasjet në kufirin Tajlandë-Kamboxhia kanë lënë 12 të vdekur
Hanife Osmani / RTK
Tensionet e vjetra në kufirin mes Tajlandës dhe Kamboxhias janë përshkallëzuar në përplasje të armatosura që kanë shkaktuar të paktën 12 viktima në territorin tajlandez.
Sipas autoriteteve, mes të vrarëve janë 11 civilë, përfshirë një djalë tetëvjeçar, një tjetër 15-vjeçar, si dhe një ushtar.
Përplasja nisi në orët e hershme të mëngjesit të së enjtes, në një zonë kufitare të kontestuar mes dy vendeve. Tajlanda akuzon Kamboxhian për lëshimin e raketave në një fshat tajlandez dhe për sulmin ndaj një spitali, ndërsa si përgjigje ka ndërmarrë sulme ajrore ndaj pozicioneve ushtarake kamboxhiane.
Si pasojë e përshkallëzimit, Tajlanda ka mbyllur plotësisht kufirin tokësor me Kamboxhian dhe u ka bërë thirrje të gjithë shtetasve të saj të largohen nga territori kamboxhian.
Në anën tjetër, Kamboxhia ka ulur nivelin e marrëdhënieve me Bangkokun dhe ka dorëzuar kërkesë zyrtare për një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke akuzuar Tajlandën për “agresion të rëndë ushtarak” dhe shkelje të së drejtës ndërkombëtare.
Kryeministri kamboxhian Hun Manet, në një deklaratë publike, tha se vendi i tij nuk kishte zgjidhje tjetër përveçse të reagonte me forcë ndaj sulmeve të armatosura nga ana tajlandeze.
Ministria e Jashtme tajlandeze e ka konsideruar reagimin e Kamboxhias si të ekzagjeruar dhe e ka paralajmëruar se Tajlanda është e gatshme të intensifikojë masat mbrojtëse nëse sulmet kamboxhiane nuk ndalojnë. Të dyja palët fajësojnë njëra-tjetrën për nisjen e përplasjes së fundit.
Zhvillimet e fundit kanë alarmuar komunitetin ndërkombëtar. Kina është shprehur “thellësisht e shqetësuar” për situatën dhe ka kërkuar nga të dyja palët që ta zgjidhin çështjen përmes dialogut dhe konsultimeve. Edhe Mbretëria e Bashkuar dhe shtete të tjera u kanë bërë thirrje qytetarëve të tyre të shmangin zonat kufitare dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale.
Përplasja e së enjtes shënon përshkallëzimin më serioz të një mosmarrëveshjeje të gjata historike mbi kufirin mes dy shteteve të Azisë Juglindore, e cila rrjedh që nga fundi i epokës koloniale franceze në Kamboxhia.























