Ukrainë, vriten të paktën 20 veta nga sulmet ruse
M.M./ RTKlive
Nga sulmet ajrore ruse në një burg në rajonin juglindor të Zaporizhzhisë në Ukrainë, vriten të paktën 17 të burgosur dhe plagosi më shumë se 80 të tjerë, thanë zyrtarët ukrainas të martën. Ndërkaq në rajonin e Dnipros, autoritetet raportuan të paktën katër persona të vrarë dhe tetë të plagosur.
Forcat Ajrore të Ukrainës thanë se Rusia lëshoi dy raketa balistike Iskander-M së bashku me 37 dronë sulmues të tipit Shahed dhe UAV-ë mashtrues. Ata thonë se 32 dronë Shahed u kapën ose u neutralizuan nga mbrojtja ajrore ukrainase, raporton AP.
Sulmi të hënën vonë goditi Koloninë Korrektuese Bilenkivska me katër bomba ajrore të drejtuara, sipas Shërbimit Ekzekutiv Penal Shtetëror të Ukrainës.
Të paktën 42 të burgosur u shtruan në spital me lëndime të rënda, ndërsa 40 persona të tjerë, përfshirë një anëtar të stafit, pësuan lëndime të ndryshme.
Sulmi shkatërroi sallën e ngrënies së burgut, dëmtoi ndërtesat administrative dhe të karantinës, por gardhi perimetral i qëndroi dhe nuk u raportua asnjë arratisje, thanë autoritetet.
Zyrtarët ukrainas e dënuan sulmin, duke thënë se shënjestrimi i infrastrukturës civile, siç janë burgjet, është një krim lufte sipas konventave ndërkombëtare.























