I dërguari amerikan mbërrin në Izrael, shkak gjendja humanitare në Gaza
M.M./ RTKlive
I dërguari i posaçëm i presidentit Donald Trump, Steve Witkoff, mbërriti në Izrael të enjten për të diskutuar situatën gjithnjë e më të rëndë humanitare në Gaza, ndërkohë që numri i të vdekurve palestinezë që presin për ushqim dhe ndihma të tjera vazhdon të rritet.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, Witkoff dhe ambasadori amerikan Mike Huckabee do të inspektojnë shpërndarjen e ushqimit në Gaza të premten, raporton AP.
Të paktën 91 palestinezë janë vrarë dhe mbi 600 janë plagosur gjatë përpjekjeve për të marrë ndihma në 24 orët e fundit, tha Ministria e Shëndetësisë në Gaza të enjten. Viktimat përfshijnë 54 persona që u vranë ndërsa prisnin për ushqim në veri të Gazës, afër pikës kufitare të Zikimit, të mërkurën, tha ministria.
Pritet që bilanci të rritet edhe më tej pasi shumë nga të plagosurit dhe të vrarët janë dërguar në spitale të izoluara dhe të pajisura dobët në veri të Gazës, dhe ende nuk janë përfshirë në statistika.
Ushtria izraelite tha se palestinezët rrethuan kamionët me ndihma dhe se forcat izraelite qëlluan në ajër për paralajmërim, por, sipas saj, nuk ka të dhëna për të plagosur nga zjarri izraelit.























