Të paktën 28 persona të vrarë në Kiev nga vala e sulmeve ruse
M.M./ RTKlive
Të paktën 28 persona kanë humbur jetën pasi një valë dronësh dhe raketash ruse goditi disa lagje të Kievit në orët e para të mëngjesit të enjtes.
Ministria e Brendshme e Ukrainës tha se në mesin e viktimave ishin edhe tre fëmijë të moshave tre, gjashtë dhe shtatëmbëdhjetë vjeç. Rreth 159 persona të tjerë janë plagosur në sulm, sipas zyrtarëve, dhe një bllok banimi është shembur.
Sulmet ruse kanë vazhduar pavarësisht kërcënimit të presidentit amerikan Donald Trump për të vendosur sanksione më të ashpra ndaj Moskës, nëse Vladimir Putin nuk pranon një armëpushim deri më 8 gusht.
“Të dyja palët, Rusia dhe Ukraina, duhet të negociojnë një armëpushim dhe paqe të qëndrueshme. Është koha për të arritur një marrëveshje,” tha përfaqësuesi i përkohshëm amerikan në Kombet e Bashkuara, John Kelley, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së të enjten.
Sipas forcave ajrore të Ukrainës, Rusia lëshoi 309 dronë dhe tetë raketa lundrimi gjatë natës. Edhe pse zyrtarët thonë se mbrojtja ajrore arriti të rrëzojë shumë prej tyre, pati mjaft goditje, përfshirë edhe nga raketat lundrimi.
Presidenti Volodymyr Zelensky tha se kryeqyteti ishte objektivi kryesor i sulmeve të natës nga Rusia.
“Bota e ka parë sërish reagimin e Rusisë ndaj dëshirës sonë, të Amerikës dhe Evropës, për paqe. Një tjetër akt demonstrativ vrasjeje,” shkroi ai në rrjetet sociale.
“Kjo është arsyeja pse paqja pa forcë është e pamundur.”
Lagjet Sviatoshynskyi dhe Solomyansky të Kievit ishin më të goditurat në sulm.
Dritaret e një reparti spitali për fëmijë në distriktin Shevchenkivskyi u shkatërruan nga vala e shpërthimit, tha kryetari i bashkisë së Kievit në 'Telegram'.
Një institucion i arsimit të lartë, një shkollë dhe një kopsht fëmijësh u dëmtuan gjithashtu.
Ministri i Jashtëm Andrii Sybiha tha se ishte një “mëngjes i tmerrshëm” në Kiev dhe se “ende ka njerëz nën rrënoja.”
Ai shtoi se Trump kishte qenë “shumë bujar dhe i durueshëm” me Putinin, por tani ishte koha për të ushtruar “presion maksimal mbi Moskën” përmes sanksioneve.
Këto ishin sulmet ajrore më të mëdha që nga koha kur Trump e avancoi afatin e mëparshëm që i kishte caktuar Putinit. Kërcënimi për më shumë sanksione nga SHBA duket se ka bërë pak për ta bindur presidentin rus që të ndryshojë kursin.
Ndërkohë, Rusia pretendoi një fitore të re në frontin e betejës, duke deklaruar se kishte kapur qytetin kodrinor me rëndësi strategjike Chasiv Yar në rajonin lindor të Donetskut.
Ukraina e mohoi se qyteti kishte rënë, ndërsa analistët ushtarakë thanë se luftime të ashpra po vazhdojnë aty.























