India në bisedime të mëtejshme tregtare me SHBA-në
M.M./ RTKlive
India është e angazhuar në bisedime tregtare me Shtetet e Bashkuara, tha të premten një burim qeveritar indian, një ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, nënshkroi një urdhër për vendosjen e një tarife 25% ndaj eksporteve të Indisë.
Trump vendosi tarifa të larta importi ndaj dhjetëra partnerëve tregtarë, përfshirë një tarifë 35% për shumë mallra nga Kanadaja, 50% për Brazilin, 20% për Tajvanin dhe 39% për Zvicrën, sipas një urdhri ekzekutiv presidencial, raporton Reuters.
Një delegacion amerikan pritet të vizitojë Nju Delhin më vonë këtë muaj, tha burimi qeveritar.
“Ne mbetemi të fokusuar në agjendën thelbësore për të cilën janë zotuar të dy vendet tona dhe jemi të bindur se marrëdhënia do të vazhdojë të ecë përpara,” tha Ministria e Jashtme e Indisë në një deklaratë të premten.
Bisedimet tregtare mes Uashingtonit dhe Nju Delhit kanë ngecur për shkak të çështjeve të tilla si qasja në sektorin shumë të mbrojtur të bujqësisë dhe qumështit të Indisë.
Pa një marrëveshje, tarifa e re e vendos Indinë përballë kushteve më të ashpra tregtare se shumica e partnerëve të saj të mëdhenj, duke rrezikuar potencialisht ekonominë e një partneri strategjik të SHBA-së në Azi, i cili shihet si kundërpeshë ndaj ndikimit të Kinës.
Burimi theksoi se nuk ka asnjë diskutim për kompromis në sektorët e bujqësisë dhe të produkteve të qumështit të Indisë, veçanërisht për lejimin e importit të produkteve të qumështit për shkak të kundërshtimeve fetare ndaj ushqimit për kafshët që përdoret në to.
Të mërkurën, Trump kërcënoi gjithashtu me ndëshkime shtesë ndaj Indisë për marrëdhëniet e saj tregtare me Rusinë dhe për anëtarësimin e saj në grupin BRICS të ekonomive të mëdha në zhvillim. Ende nuk ka qartësi për natyrën e dënimit. Trump e akuzon BRICS-in për ndjekje të “politikave anti-amerikane”.
Një zyrtar i lartë amerikan tha të enjten se dallimet midis SHBA-së dhe Indisë nuk mund të zgjidhen brenda natës për të arritur një marrëveshje tregtare.























