I dërguari i Trump-it do ta vizitojë Moskën
BKT
Rajoni dhe Bota

I dërguari i Trump-it do ta vizitojë Moskën

M.M./ RTKlive

I dërguari i posaçëm i presidenti Trump-it për Lindjen e Mesme dhe Rusinë, Steve Witkoff, pritet ta vizitojë Moskën, vetëm pak ditë para afatit për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.  Ditë më parë Trump ka paralajmëruar se tarifat e mëdha tregtare do të hyjnë në fuqi deri të premten (8 gusht) nëse Moska nuk arrin një marrëveshje për armëpushim me Ukrainën.

Trump konfirmoi se Witkoff mund të mbërrijë në Moskë të mërkurën ose të enjten dhe, sipas mediave shtetërore ruse, ai pritet të jetë atje më 6 gusht. Kremlini ka shprehur interes për këto bisedime dhe një takim i mundshëm me presidentin Vladimir Putin nuk përjashtohet.

Trump përsëriti se sanksionet do të vendosen nëse nuk arrihet marrëveshja, raporton euronews.

“Ata janë të shkathët... shumë të mirë për t’i shmangur sanksionet, kështu që do të shohim çfarë ndodh.”

Megjithëse po flitet për diplomaci, Rusia ka përshkallëzuar sulmet kundër Ukrainës, duke goditur civilë dhe infrastrukturë me dronë dhe raketa.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy vazhdon t’i bëjë thirrje SHBA-së që të zbatojë sanksionet dhe të përshpejtojë ndihmën mbrojtëse për Ukrainën.

“Çdo ditë vonesë sjell humbje të njerëzve tanë”, ka deklaruar presidenti ukrainas.

Zelenskyy e ka përsëritur ofertën për të zhvilluar takim të drejtpërdrejtë me Putinin, duke theksuar nevojën për bisedime në nivel liderësh, dhe jo vetëm teknike. Më herët, ai kishte propozuar një takim në Stamboll, por Putin nuk u paraqit dhe që atëherë ka refuzuar çdo mundësi për një takim të tillë.

Të hënën, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se një takim ballë për ballë mes presidentëve “nuk është në agjendë”, duke përmendur mungesën e përgatitjeve, pa dhënë më shumë detaje.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota