Ballkani synon fitore ndaj Shamrock Roversit në `Fadil Vokrri`
M.M. / RTKlive
Në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, sonte nga ora 20:30, Ballkani i Suharekës do të përballet me skuadrën irlandeze, Shamrock Rovers, në ndeshjen e parë të raundit të tretë kualifikues të Ligës së Konferencës së UEFA-s.
Në prag të këtij dueli evropian, trajneri i Ballkanit, Orges Shehi dhe mbrojtësi Arbër Potoku kanë vlerësuar kundërshtarin si një ekip me përvojë dhe stabilitet, por janë shprehur të bindur se ekipi suharekas do të japë gjithçka për të arritur një rezultat pozitiv para tifozëve të vet.
“Është një përballje e dy ekipeve me cilësi dhe eksperiencë. Shamrock është në ritëm gare dhe ka lojtarë që luajnë bashkë prej kohësh, ndërsa Ballkani ka kaluar nëpër një fazë tranzicioni, por tashmë jemi stabilizuar. Do të mundohemi të bëjmë zotin e shtëpisë dhe të përfitojmë nga gabimet e tyre”, ka theksuar trajneri Shehi në konferencën për media.
Ballkani synon të rikthehet në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, një sukses që e ka arritur dy herë më parë, në edicionet 2022/2023 dhe 2023/2024. Vjet, skuadra u ndal në raundin e tretë kualifikues, por këtë vit po kërkon të rikthehet mes më të mirëve të garës.
“Duhet përqendrim maksimal në çdo moment. Asgjë nuk përfundon sonte, por është e rëndësishme të marrim një rezultat pozitiv që na jep shpresë për kualifikim në ndeshjen e kthimit”, shtoi Shehi.
Edhe mbrojtësi Arbër Potoku ka theksuar rëndësinë e shfrytëzimit të terrenit vendas. “Fakti që jemi këtu tregon se kemi merita. Edhe pse kundërshtari është në formë, ne kemi krijuar eksperiencë në Evropë dhe do të japim maksimumin për të vazhduar më tutje. Kemi përparësinë e terrenit dhe duhet ta shfrytëzojmë atë”, u shpreh Potoku.
Nëse kalon Shamrock Roversin, Ballkani në “play-off” do të përballet me fituesin e duelit mes Larne (Irlandë e Veriut) dhe Santa Clara (Portugali).























