Skandal punësimesh në M-NAV: 14 maqedonas, vetëm 2 shqiptarë, reagon BDI
BKT
Rajoni dhe Bota

Skandal punësimesh në M-NAV: 14 maqedonas, vetëm 2 shqiptarë, reagon BDI

M.M./ RTKlive

Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh indinjatën më të thellë për praktikat diskriminuese dhe selektive në punësimet e fundit në Agjencinë për Navigacionin Ajror (M-NAV), ku nga gjithsej 16 vende pune të shpallura në dy konkurset e fundit, vetëm 2 janë zënë nga shqiptarët.

Sipas BDI-së, këto të dhëna tronditëse dëshmojnë edhe njëherë realitetin e hidhur të diskriminimit të vazhdueshëm institucional ndaj shqiptarëve, i cili po vazhdon me të njëjtin intensitet pas ardhjes në pushtet të qeverisë së re.

“Për më tepër, raportimet e Sindikatës së Kontrollorëve të Fluturimit për ndërhyrje politike dhe bllokimin e mbikëqyrjes sindikale gjatë intervistave, konfirmojnë se proceset e punësimit jo vetëm që nuk janë meritore, por shërbejnë si mjet për shpërblime partiake dhe nepotizëm. I ngjashëm është rasti me punësimin e nipit të Zeqirija Ibrahimit në ushtri, ku në atë konkurs ishte shqiptari i vetëm i pranuar nga gjithsej 74 punësime”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Sipas kësaj partie, ky rast nuk është i izoluar, por pjesë e një zinxhiri vendimesh diskriminuese që po ndodhin në administratën publike dhe shtetërore, duke i mohuar shqiptarëve përfaqësimin e barabartë që u garantohet me Kushtetutë dhe me Marrëveshjen e Ohrit.

“BDI i bën thirrje Qeverisë dhe drejtuesve të M-NAV që të anulojnë menjëherë procedurat e kontestuara dhe të sigurojnë transparencë e përfaqësim të drejtë në çdo proces punësimi. Mosreagimi ndaj këtyre padrejtësive do të jetë një akt i hapur bashkëpunimi me diskriminimin”, thuhet në reagimin e BDI-së.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota