Mbi 500 të arrestuar në protestat pro-palestineze në Britani
M.M./ RTKlive
Policia e Londrës tha të dielën se 532 persona u arrestuan një ditë më parë, kur mbështetës të një grupi pro-palestinez, i cili së fundmi është shpallur organizatë terroriste, qëllimisht shkelën ligjin për të testuar aftësinë e qeverisë për të zbatuar ndalimin.
Shërbimi i Policisë Metropolitane publikoi shifrat e përditësuara teksa protestuesit, të dielën pasdite, kërkonin lirimin e menjëhershëm të pengjeve izraelite të mbetura në Gaza, teksa zhvillonin marshimin e tyre në qendër të Londrës.
Shumica dërrmuese e të ndaluarve të shtunën u arrestuan për mbajtjen e pankartave që shprehnin mbështetje për grupin e njohur si Palestine Action. Policia përditësoi shifrat e mëparshme dhe tha se 522 persona u arrestuan për mbështetje të një organizate të shpallur të ndaluar, në shkelje të ligjeve kundër terrorizmit. Dhjetë persona të tjerë u arrestuan për akuza të ndryshme, përfshirë sulmin dhe pengimin e oficerëve të policisë, raporton AP.
Mbështetësit e Palestine Action organizuan protestën për të theksuar bindjen e tyre se qeveria po kufizon në mënyrë të paligjshme lirinë e shprehjes duke ndaluar një organizatë të veprimit të drejtpërdrejtë që ka sfiduar politikat e saj.
Sekretarja e Brendshme, Yvette Cooper, e cila mbikëqyr zbatimin e ligjit në Britani, e hodhi poshtë këtë përshkrim, duke thënë se Palestine Action u ndalua pas kryerjes së sulmeve serioze që përfshinin dhunë, lëndime të rënda dhe dëme të mëdha kriminale.
"E drejta për të protestuar është një e drejtë që ne e mbrojmë fuqishëm, por kjo është shumë ndryshe nga shfaqja e mbështetjes për këtë organizatë të caktuar dhe të kufizuar, e cila është e ndaluar," tha Cooper në një deklaratë. "Shumë njerëz mund të mos e dinë ende realitetin e kësaj organizate, por vlerësimet janë shumë të qarta: kjo nuk është një organizatë jodhunshme," shtoi ajo.























