Macron: Trump synon armëpushimin në samitin SHBA–Rusi në Alaskë
M.M./ RTKlive
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka qenë “shumë i qartë” në një takim virtual të mërkurën me liderët evropianë se SHBA-të dëshirojnë të arrijnë një armëpushim në samitin e ardhshëm SHBA-Rusi në Alaskë, tha presidenti francez Emmanuel Macron.
Në të njëjtin takim, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, deklaroi se u kishte thënë pjesëmarrësve se presidenti rus, Vladimir Putin, “po bën blof” para takimit të planifikuar me Trumpin.
Sipas Zelenskyyt, Putin “po përpiqet të ushtrojë presion ... në të gjitha sektorët e frontit ukrainas” për të treguar se Rusia është “e aftë të pushtojë të gjithë Ukrainën”, raporton agjencia AP.
Putin po bën blof edhe për sanksionet, duke u sjellë sikur ato nuk kanë rëndësi për të dhe janë joefektive. “Në të vërtetë, sanksionet janë shumë të dobishme dhe po godasin rëndë ekonominë e luftës së Rusisë,” theksoi Zelenskyy.
Duke folur pas videokonferencës mes Trumpit, Zelenskyyt dhe liderëve të tjerë evropianë, Macron tha se Trump po e vendos në prioritet armëpushimin mes Ukrainës dhe Rusisë. Ai shtoi se Trump kishte qenë i qartë se “çështjet territoriale që lidhen me Ukrainën ... do të negociohen vetëm nga presidenti ukrainas.”
Pas takimit të tij të premten me liderin rus, Trump gjithashtu “do të kërkojë një takim të ardhshëm trepalësh”, që do të përfshijë Trumpin, Putinin dhe Zelenskyyn, tha Macron.























