Shtëpia e Bardhë: Trump nuk do të takohet kokë më kokë me Putinin
BKT
Foto: AFP/Getty Images
Rajoni dhe Bota

Shtëpia e Bardhë: Trump nuk do të takohet kokë më kokë me Putinin

RTKlive

Presidenti amerikan Donald Trump nuk do të zhvillojë më një takim kokë më kokë me presidentin rus Vladimir Putin, ashtu siç ishte planifikuar fillimisht. Lajmin e konfirmoi Shtëpia e Bardhë për gazetarët që ndodheshin në bordin e “Air Force One”.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, bëri të ditur se gjatë takimit bilateral, Trump do të shoqërohet nga Sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe i Dërguari i Posaçëm Steve Witkoff. Ajo nuk dha arsye të qarta për ndryshimin e planit, ndonëse vetëm pak ditë më parë kishte deklaruar se të dy liderët do të takoheshin vetëm, pa praninë e askujt tjetër, shkruan CNN.

Pas takimit dypalësh, është paraparë që delegacionet e të dyja vendeve të vazhdojnë me një drekë pune. Përveç Rubio dhe Witkoff, pjesë e këtij takimi do të jenë edhe Sekretari i Thesarit Scott Bessent, Sekretari i Tregtisë Howard Lutnick, Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth dhe Shefja e Stafit Susie Wiles.

Pse është i rëndësishëm ky ndryshim?

Ky ndryshim në formatin e takimit është konsideruar si i rëndësishëm nga analistët, duke pasur parasysh natyrën e mbyllur të takimeve të mëparshme mes Trump dhe Putin gjatë mandatit të parë të Trump. Në ato raste, në dhomë ndodhej vetëm një përkthyes, dhe shpesh kishte pasiguri rreth asaj që ishte diskutuar.

Në një rast të mëparshëm në Gjermani, Trump i kishte kërkuar përkthyesit të tij të shkatërronte shënimet nga takimi me Putinin, çka kishte ngritur shumë pikëpyetje dhe shqetësime për mungesën e transparencës.

Tani, me praninë e Rubio-s dhe Witkoff-it në dhomë, pritet të ketë më shumë qartësi për përmbajtjen e bisedimeve, sidomos nëse Rusia del me një version të ndryshëm nga ai i SHBA-së. Njëri prej tyre pritet gjithashtu të mbajë shënime zyrtare, gjë që është thelbësore për pasqyrimin real të zhvillimeve në nivele të tilla të larta.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota