Takimi me Zelensky-in, Trump: Përpiqemi për paqe gjithëpërfshirëse
Sh.Ç|RTKlive
Takimi midis Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, dhe Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u zhvillua në Zyrën Ovale. Trump deklaroi se ishte arritur përparim në përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit midis Ukrainës dhe Rusisë dhe se do ta informonte menjëherë presidentin rus, Vladimir Putin, mbi rezultatet e bisedimeve me Zelenskyn. Ai shtoi se shpreson të organizojë një takim trepalësh mes tij, Zelenskyt dhe Putinit.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se “ofrimi i garancive të sigurisë për Ukrainën mbetet një temë diskutimi midis Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të NATO-s”.
“Do të flasim për këtë sot, por do t’u japim atyre një mbrojtje shumë të mirë”, tha Trump.
Këto garanci sigurie mund të përfaqësojnë një kompromis që synon mbrojtjen e Ukrainës pa e anëtarësuar formalisht në NATO – një hap që Rusia nuk do ta pranonte publikisht.
Trump tha gjithashtu se planifikonte të telefononte presidentin rus Vladimir Putin pas bisedimeve në Shtëpinë e Bardhë me udhëheqësit evropianë dhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.
“Ai e pret telefonatën time sapo të përfundojmë këtë takim”, tha Trump, duke shtuar se do të diskutonte edhe idenë e një takimi trepalësh mes tij, Putinit dhe Zelenskyt, raporton mediat ndërkombëtare.
“Ndoshta do të kemi një takim trepalësh, ndoshta jo. Nëse jo, luftimet do të vazhdojnë. Por nëse e realizojmë, ekziston një mundësi e mirë që ndoshta lufta të përfundojë”, tha Trump.
Zelensky: Ukrainës i nevojitet “gjithçka” për mbrojtje
I pyetur nga gazetarët se çfarë lloj garancish sigurie i duhen Ukrainës për të pranuar një marrëveshje, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u përgjigj se vendit të tij i nevojitet “gjithçka”.
Ai theksoi se Ukraina ka nevojë për një ushtri të fortë, e cila përfshin armë, personel, trajnime dhe inteligjencë – duke nënvizuar se e gjitha kjo varet nga “vendet e mëdha”, si Shtetet e Bashkuara.
Trump: Ne përpiqemi për paqe gjithëpërfshirëse
Zelensky falënderoi Shtetet e Bashkuara për një program të ri të NATO-s që u mundëson vendeve anëtare të blejnë armë nga SHBA-të dhe t’i dërgojnë ato në Ukrainë.
“Jemi mirënjohës për këtë program dhe për këtë mundësi. Jemi gjithashtu mirënjohës ndaj Evropës – ata po paguajnë për të”, tha Zelensky.
Sipas mediave ndërkombëtare, Trump vlerësoi gjithashtu programin, duke sqaruar se SHBA-të “nuk po i japin drejtpërdrejt asgjë Ukrainës”, por po i shesin pajisjet ushtarake aleatëve që më pas ia transferojnë ato Kievit.
Zelensky theksoi se sistemet amerikane të mbrojtjes ajrore janë jetike për mbrojtjen e vendit të tij.
“Askush në Evropë nuk ka aq shumë sisteme të mbrojtjes ajrore sa ‘Patriot’. Ne kemi vërtet nevojë për këtë”, tha ai.
Trump për armëpushimin: Më pëlqen koncepti, por kërkohet më shumë
Duke folur për idenë e një armëpushimi, Trump tha se “në përgjithësi i pëlqen” ky koncept, por e minimizoi rëndësinë e thirrjeve të mëparshme për një armëpushim të menjëhershëm, duke theksuar nevojën për një marrëveshje më të gjerë paqeje.
“Më pëlqen koncepti i një armëpushimi për një arsye – sepse ndalon vrasjen e njerëzve menjëherë, jo pas dy javësh. Ne po punojmë për një marrëveshje paqeje ndërsa ata janë duke luftuar. Do të doja që luftimet të ndalonin, por e kuptoj që kjo mund të jetë e pafavorshme për njërën palë ose tjetrën”, tha Trump.
Zelensky: Duam një zgjidhje diplomatike dhe takim trepalësh
Zelensky deklaroi se Ukraina është gati për një zgjidhje diplomatike për t’i dhënë fund agresionit rus, duke ritheksuar dëshirën për një takim trepalësh me Moskën dhe Uashingtonin.
I pyetur nëse Ukraina është e gatshme të “rivizitojë hartat” në kuadër të një marrëveshjeje paqeje apo të “vazhdojë të dërgojë trupa në front për vite të tjera”, Zelensky nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë, por vlerësoi përpjekjet e administratës Trump për të ndalur luftën.
Ai përmendi sulmet e përditshme ruse, përfshirë një sulm me dron natën e kaluar që vrau të paktën 14 persona.
“Duhet ta ndalim këtë luftë dhe Rusinë. Ne kemi nevojë për mbështetje nga partnerët tanë amerikanë dhe evropianë”, tha ai.
“Ne mbështesim idenë e Shteteve të Bashkuara – veçanërisht të Presidentit Trump – për të ndaluar këtë luftë dhe për të gjetur një zgjidhje diplomatike”, përfundoi Zelensky.
Një moment i lehtë në Zyrën Ovale
Mes diskutimeve intensive për luftën dhe paqen, një moment komik ndodhi në Zyrën Ovale kur një gazetar dhe Trump komentuan zgjedhjen e kostumit të zi nga Zelensky.
“Dukesh shumë mirë me atë kostum”, i tha një gazetar Zelenskyt, dhe Trump shtoi: “Edhe unë thashë të njëjtën gjë”.
Kjo shënon një ndryshim nga komenti i mëparshëm i Trump në shkurt, kur kritikoi veshjen me uniformë ushtarake të presidentit ukrainas gjatë një takimi zyrtar.























