Zelensky akuzon Rusinë për bllokim të paqes
BKT
Rajoni dhe Bota

Zelensky akuzon Rusinë për bllokim të paqes

M.M. / RTKlive

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka akuzuar Rusinë se "po bën gjithçka që mundet" për të penguar një takim me Vladimir Putinin me qëllim për t’i dhënë fund luftës.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka kërkuar të organizojë një takim mes të dy liderëve, por ai tha të premten: “Është si vaji dhe uthulla... nuk shkojnë mirë së bashku”.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, deklaroi se Putini është i gatshëm të takohet me liderin ukrainas “kur të jetë gati agjenda për një samit, dhe kjo agjendë nuk është aspak gati”, duke akuzuar Zelenskyn se thotë “jo për gjithçka”.

Pas një jave intensive diplomacie, gjatë së cilës Trump u takua fillimisht me Putinin në Alaskë dhe më pas me Zelensky-n dhe liderë evropianë në Uashington, presidenti amerikan tha se kjo luftë po rezulton të jetë më e vështira që ka provuar ndonjëherë të ndalojë, raporton BBCNews.

Trump tha se pas një telefonate me presidentin rus të hënën, kishte nisur përgatitjet për një samit mes Putinit dhe Zelensky-t, të cilit do t’i bashkohej më pas edhe vetë.

Presidenti ukrainas ka mbështetur këtë nismë, por ka kërkuar garanci të forta sigurie nga aleatët perëndimorë për të parandaluar një sulm tjetër rus në rast se arrihet një marrëveshje paqeje: “Ukraina, ndryshe nga Rusia, nuk ka frikë nga asnjë takim mes liderësh.”

Gjatë një vizite në Kiev, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se Trump po synon të "thyejë ngërçin" dhe se aleanca po punon për garanci të forta sigurie me SHBA-në dhe Evropën për të siguruar që Putini “të mos guxojë më kurrë të sulmojë Ukrainën”.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota